Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se shpreson që më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë planin e zbatimit për Propozimin evropian për normalizim të raporteve mes dy vendeve.
Në një intervistë për “Euronews”, Kurti ka thënë se marrëveshja është dashur të nënshkruhet në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, por sipas tij, nuk ka ndodhur pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka dashur.
Kreu i ekzekutivit tutje ka deklaruar se Kosova duhet t’i normalizojë raportet me Serbinë.
“Marrëveshjen është dashur ta nënshkruajmë më 27 shkurt. Fatkeqësisht, presidenti i Serbisë nuk deshi. Për këtë qëllim, ky traktat bazë që është propozuar nga 27 vendet e BE-së, është bazë për të ecur përpara dhe shpresojmë ta arrijmë më në fund më 18 mars”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se do të shkojë në Maqedoninë e Veriut me mirëbesim e me vullnet të mirë, për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.
“Kosova është një vend normal, por nuk ka marrëdhënie normale me Serbinë. Në këto dy vjetet e fundit kemi pasur një progres të paprecedentë ekonomik dhe demokratik në vendin tonë, gjë që na vendos në drejtim të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut dhe rritjes në krye të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, unë e pranoj se ne duhet të normalizojmë marrëdhëniet dhe për këtë qëllim, ky traktat bazë që është propozuar nga BE-ja, është një terren i fortë për të ecur përpara dhe shpresojmë ta arrijmë përfundimisht në 18 mars”, ka shtuar Kurti.
Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për përmbajtjen e Propozimit evropian, sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Diskutimet janë duke vazhduar për planin e zbatimit.
Për këtë qëllim, krerët e dy shteteve do të takohen më 18 mars në Ohër. /TV Malisheva