Sot bëhen 31 vjet nga vdekja e shkrimtarit dhe albanologut shqiptar, Martin Camaj në Munih. Kërkimet akademike të Camajt janë përqendruar në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore.
Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e ka nisur me poezinë, zhanër të cilit i ka mbetur besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit është përqendruar shumë te proza.
Martini është lindur në Dushman të Dukagjinit më 13 korrik 1927 në vendin e quajtur Telumë. Datëlindja 1925 duket të jetë një gabim shtypi. Vendlindja e tij është “… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”, sipas vetë Martinit.
Në vendlindje ka kaluar dhjetë vjetët e para të jetës së tij. Ka nisur të fitonte në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë i ka rënë në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen – pse jo – për meshtari.
Në vitin 1935 është vendosur përfundimisht në Shkodër dhe ka filluar të merrte arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”, ku ka kaluar edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atëbotë ka qenë P. Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit është mësuar se arsimin fillor 5 vjeçar e Camaj e ka përfunduar në 4 vjet.
Pesë vjetët në vijim ai e ka ndjekur rregullisht gjimnazin, gjë që i ka dhënë të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati i ka vdekur pak vite pasi Martini i vogël është futur në kolegj.
Camaj, studimet është detyruar t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës. Ai ka themelur në Prekal shkollën, ku ka vepruar si mësues i vetëm deri më 1948.
Camaj ka marrë pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kapiten Gjon Destanishtës dhe në gusht është detyruar të jetojë në ilegalitet derisa ia ka arritur të ikë në Jugosllavi bashkë me At Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetash. Kështu, ai nuk ka pasur më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij ka bërë 30 vjet burg. Martin Camaj ka kryer për tre muaj një kurs intensiv për mësuesinë në Pejë (1 korrik – 30 shtator 1949), mandej ka punuar një vjet (1949-’50) mësues në Tuz në shkollën “Mahmut Lekiq”.
Viti 1950 e ka gjetur Martinin në Beograd, ku është regjistruar në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Ai është diplomuar pas pesë vjetësh, më 2 korrik 1955, duke dhënë provime diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 ai është martuar në fillim ne bashki, mandej ne kishën ortodokse e më pas atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviq.
Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj është përgatitur për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Univ. të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç – kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë.
Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë prof. Rikard Kuzhmiç ka vendosur të promovojë në filologji, duke përzgjedhur si temë doktorate “Gjuha e Gjon Buzukut”. Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij është miratuar prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që është mbajtur më 16 shkurt të vitit 1956.
Po atë vit, duke parë shëndetin në rënie të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, Martin Camaj ka shkuar në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të ’56s), ku e shoqja nga sëmundja është detyruar të heqë një veshkë.
Nën mentoratin e Koliqit më 15 mars të vitit 1960m, Martin Camaj ka mbrojtur me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoratës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila është botuar po atë vit si botim i revistës “Shêjzat” (që e ka redaktuar për tri vjet dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi.
Ndarja përfundimtare me Martinin ka ndodhur në vitin 1968, dhe mbas asaj date Nina është kthyer në Milano, ku ka jetuar deri në nëntor të vitit 1987. Prej 1965 deri në 1971 kanë qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike, duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor.
Më 1969 është martuar me Erikën, me të cilën nuk ka pasur fëmijë. Më 16 korrik të vitit 1971, ai ka marrë emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 është emëuar ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm. Ndërsa, më 30 shtator të vitit 1990 është liruar nga detyra si profesor i merituar. Ai ka jetur në Lenggries, vend që i ka kujtuar trojet ku është lindur. Martin Camaj ka vdekur më 12 mars të vitit 1992 në Munih.
Ai është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë. Kërkimet akademike të Camajt janë përqendruar në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e ka nisur me poezinë, zhanër të cilit i ka mbetur besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit, është përqendruar shumë te proza.
Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), janë frymëzuar nga banorët e zonave ku është lindur, malësorët e veriut, mbas të cilëve ka qëndruar shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer.
Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, ka pasur disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që janë ribotuar në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981.
Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij.
Një përzgjedhje e poezive të tij është përkthyer në gjuhën angleze nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, New York 1990 (Poezi të zgjedhura) dhe “Palimpsest”, Munich & New York 1991.
/TV Malisheva