Tri ditë pas shpalljes së gjendjes ushtarake në Kosovë, mësuesi nga Gjakova, Haki Taha nga Gjakova, më 13 mars 1945 në Prishtinë, ka vrarë Miladin Popoviçin, atëherë sekretar i Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovë e Rrafshin e Dukagjinit dhe njeriu numër një i pushtetit politik në Kosovë.
Hakiu shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e mbylli në shkollën fillore “Kosova” në Krumë të Hasit në Shqipëri. Gjimnazin e ulët e kreu në Shkodër e Shkollën Normale në Elbasan, në vitin 1939, kur edhe u emërua mësues në Shinavlash të Shqipërisë.
Në vitin 1941, me grupin e parë të mësuesve që erdhën në Kosovë, erdhi në vendlindje edhe Haki Taha, ku, bashkë me shokët e vetë, Hysni Zajmin, Fadil Hoxhën, Xheladin Hanën, Zeki Shehun, Muharrem Gazinë etj., gjatë verës, organizoi kurset e gjuhës për të rinjtë shqiptarë të shkolluar më parë nëpër shkollat në gjuhën serbe.
Aty edhe ngjalli ndër të rinjtë ndjenjat patriotike dhe frymën e atdhedashurisë. Ndonëse antifashist për nga bindja, gjatë tërë kohës së luftës, nuk iu bashkua Lëvizjes Nacionalçlirimtare për arsye se ishte “nacionalist i madh”, si tha në rastin që përmendëm Fadil Hoxha, dhe – për shkak të mosbesimit ndaj bashkëpunimit me serbët e malazeztë. Por, as nuk u hodh në luftë të drejtpërdrejtë kundër kësaj Lëvizjeje. Kështu, gjatë tërë kohës së luftës mbeti vetëm mësues, pa hyrë në shërbim të askujt.
Mirëpo, si mësues ishte shumë i dashur nga nxënësit dhe shumë i nderuar nga populli. Në vitin 1942, kur Kosovën e vizitoi kryeministri i atëhershëm i shtetit shqiptar, Mustafa Kruja, Haki Taha ishte njëri nga ata që i organizoi të rinjtë e Gjakovës që, me flamur kombëtar, pa shenjat fashiste të “liktorit”, t’i dilnin përpara dhe të kërkonin nga ai që në Gjakovë të hapej Shkolla Normale e jo ajo tregtare, si kishte vendosur qeveria e tij.
Fjalën me këtë kërkesë të të rinjve gjakovarë, të drejtuar kryeministrit Mustafa Kruja, që e mbajti Vehap Shita, atëherë nxënës i Gjimnazit të Prishtinës, e kishte iniciuar dhe mundësuar pikërisht Haki Taha, atëherë mësues në Gjakovë.
E pas kësaj vizite të kryeministrit Mustafa Kruja, pranë Institutit Tregtar në Gjakovë, u hap edhe dega e Shkollës Normale me drejtor Zekeria Rexhën, kurse dega e tregtisë pranë këtij Instituti thuaja se u shua fare.
Mirëpo, Haki Taha, edhe atëherë shëndetlig, së shpejti u sëmurë rëndë dhe mbeti i shtrirë në shtrat pothuaj deri në ditët kur mori rrugën për në Prishtinë, ku edhe e gjeti vdekja në mars të vitit 1945.
/TV Malisheva