Specializantët e 22 klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) mëngjesin e sotëm kanë protestuar para drejtorisë së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për pagesën e kujdestarive, të cilin po e konsiderojnë në kundërshtim me Ligjin e punës dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës të nxjerrë në shkurt të po këtij viti.

Kryetari i Këshillit të specializantëve, Arianit Zajmi u shpreh se ky vendim i ShSKUK-së është i kundërligjshëm po i detyron të punojnë pa pagesë.

Ai tha se nga 1 marsi kujdestaritë e tyre do të paguhen me vendimin e ish-ministrit, Rifat Latifi i cili tashmë me vendimin e ri të ekzekutivit është shfuqizuar.

“Vendim i cili na detyron neve të punojmë në kundërshtim me Ligjin e punës dhe ky vendim na detyron të punojmë pa pagesë. Në të njëjtën kohë ajo që është më e rënda në aspektin ligjor është se ky vendim po na detyron neve të punojmë kundër rregullores për kompensim të kujdestarive, punën gjatë dhe punë jashtë orarit të punës e cila është miratuar në mbledhjen e 125 të Qeverisë së Kosovës.. Ne prej 1 mars 2023 sipas vendimit të ShSKUK-së dhe letrës rekomanduese të kryetarit të Bordit Specialistik ne do të paguhemi në mënyrë të jashtëligjshme nga një vendim i cili është marr vitin e kaluar nga ministri, Rifat Latifi më 9 mars 2022. Ky vendim është shfuqizuar prej momentit që është fuqizuar kjo rregullore më 3 shkurt… Kujdestaritë tona tash e tutje do të paguhen me vendimin e 9 marsit 2022 vendim i cili është rënë poshtë prej 3 shkurtit të vitit 2023”, tha Zajmi.

Specializanti Zajmi tha se kanë bërë kërkesa për takime me drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, por deri tani nuk kanë marr ndonjë përgjigje.

Ndërsa, paralajmëroi protesta të vazhdueshme për të drejtat e tyre.

“Në të njëjtën kohë ne do të vazhdojmë me protesta nuk do të ndalemi për shkak se po protestojmë për të drejtat tona që janë të rregulluara dhe mbrojtura me vetë rregulloret e qeverisë tonë të cilat janë të shenjta dhe duhet të respektohen nga çdo institucion publik”, theksoi ai.

Anëtari i kryesisë së Këshillit të Specializantëve të QKUK-së, Leonard Peci u shpreh se nga drejtorët e të gjitha klinikave në QKUK po marrin shantazhe dhe kërcënime.

“Po kemi shumë shantazhe, po kemi kërcënime të ndryshme të specializantëve në klinika të ndryshme për shembull në sallën kirurgjikale po kërcënohen po thuhet se nuk do të futen fare në salla në ditët e punës nëse nuk dalin vikendeve, po kërcënohen për metodat diagnostike siç janë ultrazëri, metodat endoskopike…Ata po na e penalizojnë shkollimin tonë specialistik në formë të shantazheve nëse ne nuk dalim më shumë se 2 kujdestari që është antiligjore dhe nëse dalim me pagesë 50 euro ditëve të vikendit përkundër që Ligji i punës e thotë ndryshe. Ne po kemi kërcënime me provime specialistike e kollokfiume dhe në forma të ndryshme po hasim në shantazhe dhe kërcënime nga ana e specialistëve të të gjitha klinikat”, tha Peci.

Veton Kurti, specializant në Klinikën e Radiologjisë, u shpreh se me telashe të pagesave të kujdestarive po ballafaqohen çdo 2-3 muaj.

“Jeni dëshmitarë se edhe 2-3 muaj keni qenë këtu para të njëjtit vend dhe objekt çdo 2-3 muaj e kemi këtë problem shpresoj se një herë e mirë të zgjidhjet ky problem se na këtu nuk po dalim prej qejfit por prej zorit”, u deklarua Kurti.

/TV Malisheva

Share.