Të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ishte e paraparë që të bëhej shpallja e aktgjykimit kundër të akuzuarit për vrasje të dyfishtë në Malishevë, Besim Maloku.
Mirëpo, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Gëzim Pozhegu, ka vendosur që të rihapet shqyrtimi gjyqësor, me arsyetimin se duhen sqarime shtesë lidhur me ekspertizat e balistikës dhe asaj mjekoligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas kësaj, ka reaguar motra e tani të ndjerëve, duke e cilësuar këtë si provokim për familjen e saj, duke shtuar: “Sa herë duhet me i këqyr këto prova”.
Më pas, gjykatësi Pozhegu tha se kjo është në interes të procedurës, në mënyrë që të sipas tij, sqarohen më mirë këto ekspertiza.
Kjo ka bërë që pala e dëmtuar dhe ajo e akuzuar të përleshen me fjalë, derisa më pas, dalja nga salla e gjykimit është përcjellë me tension e fjalosje mes familjarëve të palës së dëmtuar dhe asaj të akuzuar, deri në atë moment kur babai i tani të ndjerëve, ka gjuajtur me shishe uji në drejtim të të akuzuarit Blerim Maloku.
Pas kësaj situate kanë reaguar pjesëtarët e sigurimit, duke i shoqëruar jashtë sallës, palën e dëmtuar dhe atë të akuzuar.
Ndryshe, në seancë nuk ishte i pranishëm i akuzuari Besim Maloku, sipas gjykatësit Pozhegu automjeti i njësitit për transportimin e të burgosurve rrugës duke ardhur ka pësuar aksident trafiku.
Shpallja e aktgjykimit në këtë rast, ishte paraparë të bëhej edhe në seancën e 6 shtatorit, por ajo ishte shtyrë për të hënën, për shkak që siç kishte thënë gjykatësi Gëzim Pozhegu, njësiti për transportimin e të burgosurve nuk ka mundur ta sjellë të akuzuarin Maloku.
Në këtë rast, i akuzuar është edhe Blerim Maloku, por ai në seancën fillestare të mbajtur më 17 dhjetor të vitit 2018, e kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, kurse i akuzuari për vrasje të rëndë, Besim Maloku, ishte deklaruar i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës së ngritur me 30 nëntor 2018, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se më 9 mars 2018, rreth orës 01:00 në fshatin Plloqicë të Malishevës me dashje ka privuar nga jeta vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku.
Ai akuzohet se gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Gjemajl dhe Afrim Maloku, në atë mënyrë që i akuzuari Besim Maloku së bashku me vëllain e tij, Blerim Maloku, kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besim Maloku ka pasur me vete pushkë automatike “AK-47”, të kalibrit 7.62 x 39mm.
Sipas aktakuzës, tani të ndjerët Shani dhe Bahri Maloku, kanë qenë duke luajtur me letra së bashku edhe me Hysni, Afrim dhe Uliks Maloku.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Alban Maloku është nisur në shtëpinë e viktimave dhe kur ka hyrë në oborr të shtëpisë ka vërejtur të akuzuarit dhe i njëjti ka bërtitur dhe në atë moment kanë dal të gjithë personat që ishin duke luajtur me letra dhe kanë vrapuar për të zënë të akuzuarit dhe në rrugën e lagjes duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka shtënë me pushkë automatike në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku dhe të njëjtit i ka privuar nga jeta dhe pastaj së bashku me të akuzuarin Blerim Maloku kanë ikur nga vendi ngjarjes.
Me këtë veprim, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se ka kryer veprat penale të “vrasjes së rëndë”, nga neni 179 par.1 nënpar.1.5, 1.6 dhe 1.11 të KPRK-së dhe “mbajtje në posedim të paautorizuar të armës” nga neni 374 par.1 i KPRK-së.
Ndërsa, i akuzuari Blerim Maloku, akuzohet për veprën penale të mbajtjes në posedim të paautorizuar të armës nga neni 374 par.1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi