Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bëri të ditur sot se qeveria po punon për të korrektuar skemën e pagave, pas rritjes së pagës minimale.
Rama bëri të ditur se do të nisë nga nesër takimet me sipërmarrjen për domosdoshmërinë e rritjes së mëtejshme të pagave në sektorin privat, ku tanimë nga prilli minimumi i detyrueshëm është 40 mijë lekë.
“Shenjat e rritjes janë inkurajuese, por duhet të ecim më shpejt të gjithë bashkë. Ndërkohë që qeveria po bën gati korrektimin e krejt skemës së pagave pas rritjes së pagës minimale jashtë parashikimeve, si reagim ndaj vështirësive të paparashikuara të krijuara kudo prej agresionit të Putinit dhe inflacionit të luftës”, u shpreh kreu i qeverisë.
Nga 1 prilli paga minimale në Shqipëri shkon në 40 mijë lekë ose 352 euro, duke u renditur tashmë e treta në rajon, pas Malit të Zi që e ka 532 euro dhe Serbisë që e ka 460 euro pagën minimale.
Nga ana tjetër, Shqipëria lë pas Maqedoninë e Veriut që ka një pagë minimale 327 euro, Bosnjë-Hercegovinën, me një pagë minimale 304 euro dhe Kosovën që ka një pagë minimale 264 euro.