Ndryshon lista e Kombëtares, Enea Mihaj do të zëvendësojë Ardian Ismajlin, mbrojtësin e dëmtuar.
Kombëtarja shqiptare do të nisë që nga sot grumbullimin para ndeshjes së parë në kualifikueset e Euro 2024 ndaj Polonisë, që luhet në transfertë më 27 mars.
Trajneri Sylvio Campos Mendes Junior ka shpallur të premten listën me emrat e 23 lojtarëve që do të jenë të gatshëm për këtë premierë kuqezi, ndërkohë që të shtunën ka dalë edhe në një konferencë për median ku ka shpjeguar zgjedhjet e tij dhe ka folur për objektivat në këtë sfidë të parë.
Por informacioni i fundit është se lista e të ftuarve do të pësojë një ndryshim, kjo për shkak se mbrojtësi Ardian Ismajli nuk do të jetë pjesë e ekipit për shkak të dëmtimit.
Mbrojtësi kuqezi u lëndua gjatë ndeshjes së fundit të Empolit në Serie A të premten në mbrëmje ndaj Atalantës, ndërkohë që të shtunën i është nënshtruar analizave që kanë konfirmuar dëmtimin dhe është dalë në konkluzionin se ai nuk mund të jetë i gatshëm për ndeshjen me Poloninë.
Në këto kushte, trajneri Sylvinho ka vendosur të ndryshojë listën dhe të thërrasë mbrojtësin Enea Mihaj për të zëvendësuar Ismajlin.
Mihaj do të jetë në dispozicion të skuadrës duke nisur nga e hëna për t’u stërvitur normalisht me grupin.
/TV Malisheva