I dërguari i posaçëm i ShBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e quajti marrëveshje të rëndësishme dhe historike atë mes Kosovës dhe Serbisë që u arrit të shtunën në Ohër. Sipas tij, mungesa e nënshkrimit nga palët nuk ndryshon asgjë dhe të dy shtetet kanë obligime ligjërsisht të detyrueshme.

Zëvendës ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike tregoi edhe për obligimet kryesore që rrjedhin për palët.

Escobar: Palët kanë obligime ligjërisht të detyrueshme

“Samiti ishte i suksesshëm në hapjen e rrugës për një marrëdhënie paqësore dhe konstruktive ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Hapat e ardhshëm janë që të dyja palët të fillojnë me zbatimin siç u përshkrua të shtunën. Të dyja palët kanë obligime ligjërisht të detyrueshme që duhet të përmbushin. Nga ana serbe, është fillimi i njohjes së disa dokumenteve të Serbisë – Kosovës, dhe simboleve të tjera shtetërore dhe dokumenteve të identifikimit, dhe gjërave të kësaj natyre. Për Kosovën, është e rëndësishme që ata të fillojnë hartimin e versionit të tyre të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Por ka edhe shumë obligime të tjera, por mendoj se këto janë më të rëndësishmet”, tha Escobar.

Mungesën e nënshkrimeve nga palët në këtë marrëveshje, zyrtari i lartë amerikan, nuk e sheh si shqetësuese. Sipas tij, firmat mbi marrëveshjen e dakorduar nuk kanë qenë çështje kryesore në Ohër, por përafrimi i qëndrimeve dhe marrja përsipër e obligimeve.

Escobar: Nënshkrimi nuk ishte çështja

“Zëvendëspresidenti Borrell e bëri shumë të qartë në deklaratën e tij për shtyp, se ajo që kemi është se kemi një takim mendjesh, kemi një angazhim, dhe tani kemi obligime nga të dyja palët. Dhe të dyja palët do të gjykohen në rrugët e tyre përkatëse evropiane nga pajtueshmëria e tyre me atë që është rënë dakord. Pra, nënshkrimi nuk ishte çështja; ishte obligimi që të dy vendet e morën vetë. Dhe prap, mirëkuptimi, mirëkuptimi i qartë nga të dyja palët, se çfarë pritej dhe çfarë do të merrte secila palë. Pra është një marrëveshje në çdo aspekt”, vijoi Escobar.

Escobar deklaroi se rruga evropiane për të dyja vendet është e kushtëzuar nga zbatimi i marrëveshjes së arritur në Ohër. Ai tha se Shtetet e Bashkaura do të jenë ngushtë duke monitoruar dhe asistuar në realizimin e obligimeve për të dy vendet.

Escobar: Rruga evropiane për të dyja vendet është e kushtëzuar nga zbatimi i marrëveshjes

“Kjo është shumë e qartë, dhe rruga evropiane për të dyja vendet është fuqimisht e kushtëzuar nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje normalizimi. Kështu që ne do të shikojmë nga afër. Por jo vetëm duke parë nga afër për moszbatim; ne do të shikojmë nga afër se si mund ta mbështesim procesin, si mund të vazhdojmë të inkurajojmë dhe angazhohemi me të dy vendet, dhe si mund të vazhdojmë të ndërtojmë një marrëdhënie të shkëlqyer me Kosovën dhe një marrëdhënie të përmirësuar me Serbinë, dhe ta përdorim këtë mundësi për të krijuar kanale bashkëpunimi mes dy vendeve. Pra, ne do të angazhohemi aktivisht në zhvillimin e këtij procesi”, deklaroi zyrtari i lartë amerikan.

Escobar u shpreh se dialogu mes dy vendeve do të vazhdojë me takime të nivelit të lartë ndërsa pret që plani për normalizim do të funksionojë. Sipas tij, qëllimi i marrëveshjes së Ohrit nuk ishte njohja reciproke.

Escobar: Qëllimi i kësaj marrëveshjeje nuk ishte njohja reciproke

“Çfarë pritet pas Ohrit? Zbatimi i menjëhershëm i asaj që ështe rënë dakord në aneks. Dhe së dyti, a do të ketë takime të tjera? Epo, takimet e deritanishme janë zhvilluar nën patronazhin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Ai dialog do të vazhdojë. Kështu që unë mendoj se do të ketë takime të vazhdueshme mes dy liderëve, dhe ne kemi synim që të funksionojë ky plan normalizimi. Tani, më duhet ta bëj të qartë se ky ishte – qëllimi i kësaj marrëveshjeje nuk ishte njohja reciproke; bëhej fjalë për normalizim – pra për krijimin e një marrëdhënieje paqësore mes dy fqinjëve që kanë përjetuar një sërë konfrontimesh destabilizuese gjatë një viti e gjysmë të fundit. Pra, qëllimi ynë kryesor ishte të hartonim rregullat bazë të ndërveprimit midis dy vendeve, në mënyrë që gjëra të tilla si targat dhe barrikadat të mos kërcënojnë të dalin jashtë kontrollit, dhe të krijojnë paqëndrueshmëri rajonale”, vijoi Escobar.

Duke iu kthyer çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Esobar tha se për modelin se di do të duket ky mekanizëm do të vendosë Kosova por që i njëjti nuk duhet të cënojë strukturën kushtetuese të Kosovës apo të ndikojë në funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Escobar: Modelin e Asociacionit e vendos Kosova

“Ideja se si duket Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk varet nga Shteteve e Bashkuara; i takon popullit të Kosovës, në bisedim me Serbinë. Por besimi ynë është se duhet të jetë një (asociacion) që u shërben interesave të popullit të rajonit, që funksionon mirë për të dyja palët, që u mundëson serbëve etnikë të marrin pjesë plotësisht në jetën qytetare dhe demokratike të Kosovës, por edhe që nuk nuk cenon strukturën kushtetuese të Kosovës apo ndikon në funksionalitetin e saj. Pra, brenda kësaj, ka shumë modele dhe ka shumë opsione. Dhe ne shpresojmë të kemi biseda me të dyja palët për të arritur në një opsion reciprokisht – jo vetëm të pranueshëm, por reciprokisht tërheqës”, vijoi Escobar.

I dërguari i posaçëm i ShBA për Ballkanin Perëndimor nuk deklaroi se tashmë pas arritjes së marrëveshjes pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën do të ndryshojnë qëndrim. Ai tha se uron që një gjë e tillë të ndodhë sa më shpejtë.

Escobar: Uroj që të gjitha vendet e Bashkimit Evropian ta njohin Kosovën

“Çështjen e mosnjohjes nga pesë vende të Bashkimit Evropian duhet t’ua drejtoni atyre. Ne shpresojmë që të gjitha vendet e Bashkimit Evropian ta njohin Kosovën në të ardhmen e afërt. Është e rëndësishme që Kosova, e cila është pjesë e familjes evropiane, të njihet nga pjesa tjetër e familjes evropiane. Dhe unë besoj se një nga gjërat që duhet të ndodhë në rajon është që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të njohin njëri-tjetrin dhe të kenë marrëdhënie paqësore dhe produktive”, tha Escobar.

Zyrtari amerikan u shpreh se ka ndikim keqdashës rus në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë përmes dezinformatave mediatike por edhe në internet, potr edhe duke mbështetur ekstremistët e djathtë në Serbi, të cilët disa herë kanë protestuar kundër planit evropian dhe shhpesh edhe në mborjtje të Putinit, presidentit rus që është zyrtarisht i kërkaur nga drejëtsia ndërkombëtare ëpr krime lufte.

Escobar: Ka ndikimin keqdashës rus në proces

“Epo, nuk mund të pohoj se ne kemi prova të drejtpërdrejta që ata i kanë, por ne e dimë se ka – që Rusia, përmes pranisë së saj në internet, përmes dezinformatave të saj mediatike, është përpjekur të kontribuojë në kundërshtimin e ekstremit të djathtë ndaj këtij plani normalizimi, dhe ndaj rrugës euroatlantike të pothuajse të gjitha vendeve të rajonit. Pra, po, ka një sasi të madhe ndikimi keqdashës rus në këtë proces”, tha ndër të tjera Escobar.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, apo siç njihet edhe si propozimi evropian për normalizim. Më 18 mars, palët, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, arritën pajtim për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Share.