Rumania është njëri nga kundërshtarët e Kosovës në ciklin kualifikues drejt Kampionatit Evropian Euro 2024.

“Dardanët” veçse janë grumbulluar dhe kanë filluar stërvitjet, kurse skuadrës po i mungon sulmuesi i CFR Cluj, Ermal Krasniqi.

Krasniqi nuk u ftua nga trajneri i Kosovës, Alain Giresse, pavarësisht se ish-sulmuesi i Ballkanit po kalon në formë fantastike me skuadrën rumune, Cluj këtë sezon.

Tani, Krasniqi ka bërë një intervistë për mediumin rumun “Prosport”, ku në pyetjen se kë do të zgjidhte si fitues me Rumanisë dhe Kosovës, 24 vjeçari shpresoi në fitore të kombëtares së tij.

“Unë mendoj se të dyja janë skuadra me kualitet, por dëshira ime është që Kosova të fitojë”, tha Krasniqi.

Më tej, Krasniqi tha se Kosova nuk duhet të nënvlerësohet veç pse ka një popullatë 10-fish më të vogël se Rumania.

“Kosova është një shtet i vogël, por që ka talent të shumtë që performojnë çdo ditë në ligat më të forta në Evropë. Në Kosovë ka shumë lojtarë të mirë që mund t’i bëjnë ballë kampionateve në Evropë”, tha Krasniqi.

Vetëm një lojtar që luan në Kosovë është thirrur nga trajneri Alain Giresse në kombëtare. Ai është ish-kolegu i Krasniqit te Ballkani, Albion Rrahmani.

Mesfushori i CFR Clujit tani thotë se ka shumë lojtarë në Kosovë që mund të lënë mbresa të mira në Rumani.

“Ballkani, ish-klubi im, luajti kundër CFR dhe unë mendoj se të gjithë e kanë vërejtur se çfarë lojtarë ka aty. Nuk është puna ime që të bëj rekomandime, por në Kosovë ka lojtarë të mirë që mund t’i bëjnë ballë ligave në Evropë”, tha më tej Krasniqi.

Kosova do të përballet me Kombëtaren e Rumanisë më 16 qershor, ndeshje kjo që do të jetë e vlefshme për xhiron e tretë të ciklit kualifikues drejt Kampionatit Evropian Euro 2024.

 

Share.