Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila i ka reaguar partive opozitare për kritikat ndaj kryeministrit Albin Kurti se e ka hupur mundësinë për arritjen e njohjes reciproke me Serbinë.
Në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për marrëveshjen me Serbinë, shefja e deputetëve të mazhoranës ka thënë se Serbia në asnjë moment nuk ka treguar gatishmërinë e vet për të njohur Kosovën, përveç një rasti, siç ka potencuar ai, kur është diskutuar shkëmbimi i territoreve.
“E gjithë kërkesa juaj për njohje nga ana e Serbisë, apo për heqje të njohjes siç po e përmendni të krijon përshtypjen se kjo njohje ishte dikur dhe tashmë u tërhoq njohja nga Serbia. Serbia në asnjë moment, asnjë fazë nuk e ka treguar gatishmërinë e vet për të njohur Kosovën, përveç një rasti që edhe sot nuk e fshehin, kur është diskutuar shkëmbimi i territoreve. Sot, aktualisht nëse kthehet në tavolinë shkëmbimi territorial midis Kosovës dhe Serbisë, ajo është e gatshme të thotë se e njoh Kosovën, për arsye se mora diçka. Kjo ishte përshtypja që është krijuar se në kompensim të diçka që duhet t’i jepet Serbisë për këtë njohje. Kjo, jo që ka qenë qasje e gabuar, por ka qenë tejet e rrezikshme jo vetëm për dy vendet por për tërë Ballkanin dhe si e tillë tash as nuk diskutohet”, ka thënë ajo.
Duke folur për mundësitë që marrëveshja pa nënshkrim me Serbinë të shkojë në Kuvend për ratifikim, ajo është shprehur skeptike për këtë, pasi ka thënë se ka nene të ujdisë që flitet vetëm për zbatim të marrëveshjeve të kaluara, disa prej tyre që janë ratifikuar në Kuvend.
“Ne si Kuvend mund të ndihmojmë procesin, por duke mbikëqyrë zbatimin e kësaj marrëveshje, e cila tashmë do të konsiderohet me afate, të cilat janë dakorduar nga dy palët. Ne mund të kemi rolin tonë konstitutiv që t’i ndihmojmë qeverisë, por edhe të japim informata qytetarëve që secilin hap të zbatimit të marrëveshjes të kuptojnë në saktësi”, ka thënë ajo.
Krahas kësaj, Kusari-Lila ka shtuar se marrëveshja me Serbinë i hap dyert për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së.
/TV Malisheva