Kryeministri Albin Kurti teksa u është drejtuar udhëheqësve të PDK-së e LDK-së, u shpreh se të njëjtit po flasin si aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në seancën e sotme plenare, Kurti ka replikuar me partitë opozitare duke i kritikuar për opozitarizëm e po ashtu edhe për marrëveshjet e arritura dikur. Ai theksoi se krerët e Serbisë më parë vraponin për të nënshkruar marrëveshje, ndërkaq tani po ikin nga ai.
Shefi i ekzekutivit po ashtu deklaroi se vet-menaxhimi nuk është vetëvendosje e as vetëqeverisje, meqë kjo u takon popujve e jo komuniteteve.
Kurti duke iu drejtuar Krasniqit e Abdixhikut tha se të njëjtit duhet të pushojnë nga diskursi i aktivistit të pakënaqur të LVV-së.
“Deputeti Krasniqi dhe Abdixhiku po flasin si me qenë aktivistë të Vetëvendosjes që kanë dhënë dorëheqje. Për besë, nuk di si ta shpjegojë ndryshe këtë diskurs. Pra, sikur të ishin aktivistë të Vetëvendosjes që kanë dhënë dorëheqje e janë të pakënaqur me kryetarin, po më duket vetja si në Këshill të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Po kjo është parlamenti i Kosovës, ku jeni o ju partitë tjera. Ju jeni PDK, ju jeni LDK, nuk jeni në LVV. Nuk e di pse po më kujtohet tash deklarata e Skender Hysenit, i cili pati thënë që deputeti Abdixhiku është Vetëvendosje në LDK”, ka deklaruar ai.
Kurti ka vijuar me replika ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku për çka ka shkaktuar të qeshura në sallën e seancës plenare.
“Deputeti Abdixhiku e citoi Adem Mikullovcin, që e citonte Azem Shkrelin, po Azem Shkrelin bën edhe me lexua vet. Nuk është e thënë me citua dikë që citon, Azem Shkrelin do të duhej të lexohej. E bëri atë pyetjen para pasqyrës, a do të puthje apo do ta pështyje. Unë nuk e bëjë asnjërën, por kolegët e mi që i kam këtu në qeveri që e njohin deputetin Abdixhiku më mirë se unë, po thonë se e dinë se çfarë bën ky”, u shpreh Kurti.
Më tej, derisa i ka replikuar kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqit, i cili tha se vet-menaxhimi është vetëvendosje, për çka kërkoi nga deputetët që të mos thënë diçka që nuk po e bën as Serbia.
“Nga deputeti Krasniqi u tha se vet-menaxhimi është vetëvendosje, nuk është e vërtetë. Vetmenaxhimi jo që nuk është Vetëvendosje, por nuk është as vetëqeverisje, nuk është as vet-administrim. Këto janë shprehje të ndryshme, jo vetëm nominalisht e fonetikisht por edhe semantikisht. Këto janë të ndryshme. Vetëvendosje është e drejtë e popujve, serbët në Kosovë nuk janë popull, janë komunitet. Popull është populli i Kosovës, askush dhe asgjë tjetër”, ka replikuar Kurti.
Më tej, Kurti deklaroi se marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 me shumë zell i kishte nënshkruar Daçiqi dhe Vuçiqi.
“Nga vrapimi për të nënshkruar me juve, kemi ardhur në fazën ku ikin prej meje sepse s’duan të nënshkruajnë”, tha shkurt Kurti.
Kryeministri Kurti tha kjo marrëveshje bazë askund nuk përmendet “Zajednicën”.
“Pika 10 e marrëveshjes bazë iu referohet atyre 39 marrëveshjeve të mëhershme. Aty e gjeni asociacionin, apo Zajednicën edhe të vitit 2013 edhe të 2015, dhe aty thuhet që duhet të zbatohen të gjitha që janë valide dhe të obligueshme. Ka ende punë, por thuhet që janë valide dhe të obligueshme. Përndryshe besoj që të gjithë e keni vërejtur që Asociacioni i komunave me shumicë serbe, apo Zajednica, askund nuk përmendet në këtë marrëveshje”, ka thënë ai.
Kurti shtoi se në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të vitit 2015, ku në kapitullin 2 thuhet se Kosova duhet t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog me Serbinë.
“39 marrëveshje janë realizuar gjithsejtë nga 2 korriku 2011, deri më 25 gusht 2015, pse nuk kishte njohje reciproke në asnjërën prej tyre. Pse nuk kishte? Pra, nëse keni negociuar mirë, nëse keni dialoguar mirë, nëse keni qenë më të dijshëm se ne, e më të vëmendshëm se ne, si u bë që asnjëra se pati asnjëherë njohjen reciproke”, ka shtuar ai.
/TV Malisheva