Guvernatori i Utah, Spencer Cox, të enjten i nënshkroi 2 ligje të cilat kanë synim kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit, duke u bërë kështu shteti i parë në SHBA që kërkon leje prindërore për të gjithë personat nën moshën 18 vjeç për përdorimin e platformave sikur Instagram, TikTok dhe Facebook.

Dy projektligjet, të miratuara në fillim të këtij muaji nga legjislatura e Utah, e cila është e kontrolluar nga republikanët, synojnë gjithashtu ta bëjnë më të lehtë padinë ndaj kompanive të rrjeteve sociale për dëmshpërblim.

Ndikimi i mediave sociale tek fëmijët ka qenë objekt i një debati kombëtar në rritje në Shtetet e Bashkuara, ku ofruesit e shërbimeve mbrohen kryesisht nga përgjegjësia për përmbajtjen e tyre sipas seksionit 230 të Aktit të Desencës së Komunikimit, raporton Reuters.

“Ne nuk jemi më të gatshëm të lejojmë që kompanitë e rrjeteve sociale të vazhdojnë të dëmtojnë shëndetin mendor të të rinjve tanë,” tha Cox, një republikan, në një mesazh në Twitter.

Këto projektligje, të cilat kundërshtohen nga industria e teknologjisë, kërkojnë që të gjithë përdoruesit të dorëzojnë verifikimin e moshës përpara se të hapin një llogari në media sociale.

Të miturit nën moshën 18 vjeç që kërkojnë një përjashtim do të kenë nevojë për të marrë leje nga njëri prind. /TV Malisheva

Share.