Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, i ka reaguar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke thënë se ajo nuk ka të drejtë ta komentoj përmbajtjen e vendimeve gjyqësore, e aq më pak, sipas saj, të Gjykatës Kushtetuese kur i rrëzon vendimet e Haxhiut.
Kica – Xhelili, ka thënë se as Gjykata Kushtetuese e as demokracia në Kosovë nuk janë krijuar falë ministres Haxhiu.
“Dikush duhet t’ia kujtoj kësaj ministreje se është ministre në një shtet DEMOKRATIK – ku pushtetet janë të ndara dhe nuk mund ta kontrolloj gjyqësorin (fatmirësisht për demokracinë).
Dikush duhet t’ia kujtoj kësaj ministreje se është ministre e DREJTËSISË – e jo ministre e vazhdueshme e fushatës linquese. Se sundimi i ligjit që ajo e shndërron në mbiemër personal në fushatë, duhet të jetë mbiemër në zbatim kur drejton institucion.
Dikush duhet t’ia kujtoj kësaj ministreje se NUK KA TË DREJTË ta komentoj përmbajtjen e vendimeve gjyqësore e aq më pak Gjykatës Kushtetuese kur i rrëzon vendimet e SAJ. As kjo Gjykatë e as kjo demokraci nuk janë krijuar falë Ministres Haxhiu, në fakt MË SË PAKU falë mendësisë që kjo shumicë po shpërfaq.
Por, ajo është ministre e kësaj demokracie parlamentare dhe duhet OSE ta respektoj këtë demokraci, ose të zhvendoset në një shtet autokratik që përkon me ideologjinë e saj.
Dhe kur ia kujtoni gjithë këto, ia kujtoni që është Rekomandim i Këshillit të Evropës që kjo ministre NUK GUXON të flas si flet e të veproj si vepron.
Paragrafi 18 i Rekomandimeve të Këshillit të Evropës për pavarësinë e gjyqësorit [CM/Rec(2010)12]:
“Nëse komentohen vendimet e gjyqtarëve, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet të shmangin kritikat që do të minonin pavarësinë ose besimin e publikut në gjyqësor (…) përveç deklarimit të qëllimit të tyre për të apeluar/ankimuar.”
Në fund, ua rikujtoj juve dhe ndoshta pak vetes, që i gjithë ky (ri)kujtim karshi saj do të jetë potencialisht i kotë.
Kam provuar. Ia kam thënë të gjitha. Privatisht e publikisht. Sa herë kam bërë thirrje në këto rekomandime, këto standarde, e këto shtylla demokratike, ajo e ka kthyer në personale. Ajo, ose ata që i shërbejnë asaj. Kaq pres nga ajo. Kaq pres nga ata”, ka shkruar Xhelili.