Mungesa e operimit të barnatoreve pas mesnatës dhe ditën e diel mbetet shqetësim për qytetarët e Gjakovës. Një çështje e tillë është ngritur edhe në mbledhjen e Asamblesë komunale të ditës së mërkurë, ku këshilltarët komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar që orari i kujdestarisë të bëhet me rregullore, por kryetari Ardian Gjini ka thënë se nuk ka bazë ligjore për një gjë të tillë.
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ledian Rexha, deklaroi se vetë farmacistët muaj më parë kanë mbajtur takim ku kanë diskutuar çështjen e kujdestarisë por kanë kërkuar garancinë e zbatimit të orarit nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Asambleja e Komunës së Gjakovës.
“Sikur se shume prej qytetarëve besoj që dhe shumë nga ne në këtë sallë jemi rastisur përballë një urgjence mjekësore, urgjenca të cilat nuk kanë orare të caktuara, ashtu siç nuk kane orare as institucionet që e ofrojnë mjekimin e saj, e orare të caktuar s’duhet të kenë as barnatoret që janë hallka e fundit në renditje e aspak nga rëndësia në trajtimet mjekësore… Përderisa në spital dhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare jepen shërbime kujdestarie, është e logjikshme dhe gjithsesi e paevitueshme që të njëjtën gjë ta bëjnë dhe barnatoret të cilat janë pjesa integrale e përfundimit të ciklit të mjekimit”, tha Rexha.
Mirëpo, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, deklaroi se nuk ka bazë ligjore që të rregullohet kjo çështje. Sipas tij, Komuna nuk mund të urdhërojë një barnatore të punojë në një ditë të caktuar e në orar të caktuar.
Sipas tij, farmacistët duhet të mblidhen vetë dhe të sjellin një propozim të tyre ëpr orar që më pas Komuna ta mbështesë të njëjtën.
“Deri tash nuk kam gjetur bazë ligjore, as zyra ime nuk ka gjetur bazë ligjore në bazë të të cilës unë e urdhëroj një barnatore të punojë kujdestare. Nuk ka bazë të tillë ligjore edhe nëse votohet këtu. Cila është mënyra elegante për të kryer këtë punë se e di që është me rëndësi? Është nëse shoqata e farmacistëve pajtohet, e bën një rregullore të veten, e prezanton një plan, ose një orar të vetin dhe ne atëherë e marrim masat qoftë përmes Inspektoratit, ose i shkruajmë policisë që të kenë kujdes te ato barnatore… Komuna nuk mundet t’ju jap urdhër barnatoreve të punojnë kujdestare, kështu është interpretimi që unë e marr. Nëse barnatoret kërkojnë, nëse qytetarët kërkojnë, e kanë shumë të thjeshtë, munden të ulen bashkë, të bëjnë një orar tyre dhe ne e mbështesim dhe e legjitimojmë”, deklaroi Gjini.
Mirëpo, Rexha tha se kërkesat e qytetarëve tashmë ekzistojnë ashtu sikurse ka një dakordim edhe nga vetë farmacistët.
Ndërsa në lidhje me bazën ligjore, ai solli shembullin e disa komunave, që sipas tij, mund të adaptohet edhe nga ajo e Gjakovës.
“Komuna e Mitrovicës, e Podujevës, e Vushtrrisë, e Rahovecit e kanë të rregulluar me rregullore dhe me vendim. Si shembull le kam sjellë rregulloren e Komunës së Vushtrrisë e cila në nenin 14, pika 2 dhe 3 e rregullon shumë qartë këtë çështje që mund ta rregullojmë edhe si komunë. Po ashtu është edhe një vendim mbi caktimin e orarit të barnatoreve kujdestare e Komunës së Rahovecit e cila është ndërmarrë nga barnatoret, Drejtoria e Shëndetësisë, e Inspektimit dhe Stacioni Policor në Rahovec që të impelmentohet një gjë e tillë… Besoj që na duhet pak vullnet politik që ta rregullojmë dhe ta zbatojmë këtë çështje”, vijoi Rexha.
Kreu iGjakovës tha se nuk është kundër që barnatoret të kujdestarojnë dhe tha se nëse ka ardhur ndonjë propozim nga barnatoret atëherë do ta shqyrtojnë me shpejtësi.
“Nuk jam kundër që në Gjakovë të kemi barnatore kujdestare, jam në gjendje të bëj gjithë çfarë është në fuqinë time që me ndodhë, por nuk mund ta marr vendim unë e as ju. Pa e ditur e përmenda si duhet të ndodhë. Duhet të vijë një propozim prej barnatoreve, duhet të mbështetet prej Komunës, prej policisë dhe e bëjmë. Nëse ka ardhur propozimi e mund të mos e dijë, kërkoj falje dhe e shohim shpejtë”, tha Gjini.
/TV Malisheva