Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se marrëveshja me Serbinë krijon një momentum të ri për integrimin ndërkombëtar të Kosovës.
Në një ligjëratë dhe bashkëbisedim të organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës në Austri, Osmani tha se kanë marrë zotim të fortë të aleatëve ndërkombëtar për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Osmani: Marrëveshja me Serbinë krijon një momentum të ri për integrimin ndërkombëtar të Kosovës
“Ne besojmë se kjo marrëveshje krijon një momentum të ri për integrimin ndërkombëtar të Kosovës. Nëse e shihini atë dhe e krahasoni me cilëndo marrëveshje që është arritur në procesin e dialogut, ku ka pasur të shumta të tilla, kjo marrëveshje është midis dy palëve kontraktuese, dy shteteve të barabarta. Në neni 1 thuhet se respektohet integriteti territorial, parimi i sovranitetit dhe parimet të tjera të cilat marrin trup në nenin 2 të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Po ashtu neni 4 i marrëveshjes përcakton e zeza mbi të bardhë, ligjërisht të detyrueshme që Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, tha ajo.
E para e shtetit, tha se marrëveshja me Serbinë tani është ligjërisht e obligueshme për palët.
Osmani: Kemi marrë zotimin nga partnerët për një shtytje të fortë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare
“Tani kemi një momentum të ri për njohjen ndërkombëtare nëse flasim për shtete individuale dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Tani në fakt, më pak kemi të bëjmë me marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë, por më shumë si një zotim që kemi marrë nga partnerët tanë që do të ketë një shtytje të madhe të fortë që të bëhet Kosova anëtare e merituar e bashkësisë ndërkombëtare. Kjo do të thotë se për shumë vite gjatë dialogut, procesi kishte dalur nga binarët, kuptimin se edhe në partnerët tanë ndërkombëtarë dëgjonim zëra se nuk do të ketë njohje apo anëtarësim për një kohë të caktuar derisa dialogu të përfundojë. Gjithmonë kemi besuar se kjo është qasje e gabuar. Sa më shumë njohje dhe anëtarësime për Kosovën aq më shumë do të përforcojmë shtetësinë tonë dhe aq më mirë do të kupton Serbia se kjo është rrugë e pakthyeshme. Kosova është sovrane, e pavarur dhe do të mbetet e tillë përgjithmonë”, shtoi ajo.
Megjithatë, ajo ngriti shqetësimin se Serbia mund të mos e zbatojë marrëveshjen.
Osmani: Ka mundësi që Serbia mos të zbatojë marrëveshjen
“Ka mundësi që Serbia të bëjë zotimin dhe pastaj të mos e realizojë kurrë. Të tjerë pastaj thonë se kjo mund të prish rrugëtimin e tyre evropian, por duket se kohë pas kohe nuk ju intereson rrugëtimi drejt BE-së, më shumë kanë interesim që të kenë miqësi me Putinin”, theksoi Osmani.
Ajo përmendi nevojën e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe OKB për të rritur sigurinë në rajonin ballkanik dhe përmbylljen e kapitullit të mospajtimeve në rajon. Derisa nënvizoi anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në Këshill të Evropës.
Osmani: Hyrja në Këshillin e Evropës do të avancojë nivelin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut
“Hyrja në Këshillin e Evropës do të avancojë nivelin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe do të na mundësojë të kemi mbrojtje të drejtave të njeriut për gjithë njerëzit, pa marrë parasysh fenë, etninë apo ndonjë përkatësi tjetër…Anëtarësimi në OKB përmbyll një lloj kapitulli të mospajtimeve në Ballkanin Perëndimor, pasi ka vetëm një shtet që krijon mospajtime ose problemesh, por do të përmbyllte një kapitull të këtyre problemeve. Kjo do t’i jepte një mundësi rajonit një mundësi për të ecur përpara”, përfundoi ajo./TV Malisheva