Përfaqësuesit e partive kryesore politike në Shqipëri kanë dalë në mbështetje të Marshit për Drejtësi, në shenjë solidarizimi dhe përkrahje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, të enjten ka bërë të ditur nga Tirana se përfaqësuesit e politikës shqiptare në Tiranë i kanë dhënë mbështetje marshit që do të mbahet këtë të diel nga ora 14:00 në Prishtinë.

Ajo ka postuar fotografi bashkë me kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, me nënkryetaren e PD-së Jorida Tabaku dhe me kryetaren e Grupit Parlamentar të PDIU, Mesila Doda.

“Shqipëria, pa asnjë dallim, në mbështetje të Marshit për Drejtësi, në shenjë solidarizimi dhe përkrahje për ish-krerët e UÇK-së. Me 2 prill, përfaqësues të të gjitha partive shqiptare mbështesin “Marshin për Drejtësi”, në Prishtinë. Lufta jonë ka qenë çlirimtare dhe e drejtë. Rrjedhimisht, asnjë tendencë për të ndryshuar historinë tonë më të lavdishme nuk do të kalojë. Bashkë jemi më të fortë!”, ka shkruar Deliu Kodra.

 

Share.