Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka vazhduar vizitën e tij zyrtare në SHBA, me takime me personalitete të ndryshme të politikës amerikane.
“Në vazhdën e këtyre takimeve kryetari Konjufca është pritur nga kongresisti republikan, njëherësh anëtar i Grupit të Miqësisë për Çështje Shqiptare në kuadër të Kongresit, Robert Aderholt. Në një bashkëbisedim miqësor me z. Aderholt, kryetari i Kuvendit potencoi punën dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës sa i përket agjendës euroatlantike të Kosovës, avancimit të procesit të njohjeve ndërkombëtare dhe dialogut me Serbinë’, njofton Kuvendi i Kosovës.
Në komunikatë thuhet po ashtu se në takim u shkëmbyen pikëpamje lidhur me zhvillimet aktuale politike dhe situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit mes Kosovës e ShBA-ve në fusha të interesit të dyanshëm.