Diplomatët francez e gjerman presin nga Qeveria e Kosovës që të lansojë vendimin për asociacionin, në të kundërtën kanë deklaruar se nëse palët nuk respektojnë zotimet do të ketë pasoja. Ambasadori francez, Olivier Guerot ka deklaruar gjatë së premtes se presin që Kosova të ketë propozim konkret dhe të fillojë negociatat për asociacionin, ashtu siç ceket në aneks. Nëse kjo marrëveshje nuk zbatohet, ambasadori gjerman, Jorn Rohde deklaroi se rruga në Evropë do të jetë e mbyllur për të dyja vendet.
Në diskutimin me temën “Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbisë”, e cila u mbajt në Qendrën Mediale në Çagllavicë, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot ka deklaruar se presin nga qeveria që të lansojë vendimin për themelimin e asociacionit.
Guerot: Presim nga Qeveria e Kosovës që të lansojë vendimin për asociacionin
“Ne në këtë dhomë të mbyllur, jashtë mund të shohim se pranvera po vjen, lulet po gjelbërojnë, bari është i gjelbër, por edhe dialogu pas dimrit që ka qenë shumë i tensionuar dhe i ftohtë, mendoj që shohim shenja pozitive sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE. Të dyja marrëveshjet, marrëveshja me 18 dhe me 27 shkurt janë një arritje e madhe dhe ishin të suksesshëm dhe udhëheqësit kanë qenë po ashtu të suksesshëm, pa marrë parasysh a është nënshkruar apo jo, dokumenti nuk është me rëndësi. Ne gjejmë se kjo marrëveshje është e obligueshme dhe e konsiderojmë si detyruese, kështu qe presim qe liderët e të dyja vendeve ta respektojnë zotimin e tyre. Do të ketë pasoja nëse këto zotime nuk zbatohen…Presim nga Qeveria e Kosovës që ta lansojnë vendimin për asociacionin e komunave me shumicë serbe, siç theksohet në dokument, në dokumentet të cilët janë dakorduar, ky është hapi i parë. Do të ketë takime ditëve në vijim”, ka deklaruar ai.
Për më tepër, diplomati francez shtoi se asociacioni është i cekur në aneks dhe për këtë presin propozim nga Qeveria e Kosovës.
Guerot: Inkurajojmë që Kosova të bëjë propozim konkret për asociacionin
“Ne presim që diskutimet që do të ndodhin nga Kosova, siç ceket në aneks të fillojnë negociatat për asociacionin. Nuk duhet të ketë dyshim për këtë kur flasim, për asociacionin dhe bazohemi në marrëveshjet paraprake. Mendoj që nuk do të ishte metodologjikisht punë e mirë të përpiqemi që përgjithmonë të diskutojmë cila është korniza e duhur, parametrat e duhur. Ne i inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që të bëjnë një propozim dhe më pas do të diskutojmë në bazë të këtij propozimi. Nuk do të flas në teori, për këtë apo për atë, por porosia është që inkurajojmë dhe fuqimisht që të bëjnë propozim konkret dhe kjo do të jetë një hap konkret përpara”, ka shtuar mes tjerash diplomati francez.
Sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ai theksoi se është në interes të Kosovës që të korr sukses në këtë drejtim. Po ashtu, Guerot u shpreh se rruga drejt BE-së është e gjatë, për çka shtoi se Kosova duhet të respektojë zotimet e veta.
Guerot: Hapi i parë është respektimi i aneksit
“Hapi i parë është që të respektohet aneksi i 18 marsit”, u shpreh ai, derisa shtoi se
E ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde u shpreh se nevojitet vullnet politik për ta zbatuar këtë marrëveshje, për çka tha se është optimist.
Rohde: Rruga në Evropë do të jetë e mbyllur për të dyja vendet
“Jam optimist sepse ka shumë tension politik. Gjëja e dytë është se rruga në Evropë do të jetë e mbyllur për të dyja vendet. Dhe e treta, nëse Evropa nuk vjen në Ballkanin Perëndimor, qytetarët do të vazhdojnë të shkojnë në Evropë. E dimë që demografika në çdo vend të Ballkanit Perëndimor, të rinjtë serbë largohen nga Kosova, kosovarët e rinj po shkojnë. Dhe kjo varet nga vullneti i liderëve për ta zbatuar”, ka deklaruar ai.
Rohde është pyetur edhe për deklaratat e Serbisë pas takimit në Ohër, për çka tha se nuk është e dobishme që të ketë të tilla në kundërthënie me marrëveshjen. Ai tha se nuk është parë në Bruksel që ka indikacione se palët nuk dëshirojnë të zbatojnë këtë marrëveshje.
Rohde: Unë dëshiroj më pak përqendrim në deklarata dhe më tepër në veprime konkrete
“Nuk është e dobishme të japim deklarata që janë në kundërthënie me marrëveshjen, në të cilën të dy palët janë zotuar që ta zbatojnë. Dhe në fund në Bruksel do të flasin për procesin e zbatimit për të cilin janë pajtuar, e jo për deklaratat që janë dhënë më vonë….Mendoj që përpjekjet në Bruksel të enjten e ardhshme duhet të fokusohen se si e zbatojmë këtë shpejt. Nuk është që vetëm njëra anë të zbatojë gjërat, dhe tjetra jo. Ka obligime për të dyja palët. Unë dëshiroj më pak përqendrim në deklarata dhe më tepër në veprime konkrete”, u shpreh ai.
Në diskutimin me temën “Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbisë”, Rohde ka folur edhe për mos-pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje.
Rohde: Nëse nuk merrni pjesë në zgjedhje, nuk mund të ndikoni në vendime
“Nëse nuk merrni pjesë në zgjedhje, nuk mund të ndikoni në vendime, atëherë mos u ankoni. Jnaë shtyrë një herë, shansa e dytë përsëri dhe përsëri është për keqardhje “, u shpreh ai.
Ngjashëm ka deklaruar edhe diplomati francez, ku tha se vendimi i Listës Serbe është për të ardhur keq, meqë zgjedhjet janë themeli i demokracisë. /TV Malisheva