Kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Sejdë Tolaj ka deklaruar se Projektligji për çmimin e produkteve medicinale, do të mundësojë barna me çmimet më të lira në rajon, si dhe do të zvogëlojë kontrabandën me ilaçet.

Tolaj, u shpreh se me këtë projektligj më nuk do të ketë çmime të ndryshme dhe të fryra për produktet medicinale, siç ka ndodhur deri tani.

Tolaj: Ky projektligj do të sigurojë barna më të lira për qytetarët

“Benifitet kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me pacientët qoftë pacientët aktualë apo ata potencialë që do të jenë nesër, për arsye se me të vërtetë mos ekzistimi që ka rregulluar këtë fushë ka lënë hapësirë për laramani të çmimeve dhe tek depove dhe barnatoret, dhe madje për të njëjtin produkt jeni dëshmitar ka pas çmime të ndryshme nga barnatorja në barnatore. Benifitet më së pari i adresohen pacientëve ku me rastin e aprovimit të këtij ligji nuk do tu lejohen më depove si qarkullues me shumicë por as barnatoreve si qarkullues me pakicë me çmime ashtu siç kanë vepruar deri më tani të pakontrolluara e të fryra me laramani të ndryshme… Ky ligj jep mundësi që të kemi produkte shumë të lira pas aprovimi”, deklaroi Tolaj.

Të mirë tjetër që sjell ky projektligj, sipas kryeshefit të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, është edhe minimizimi i kontrabandës me barna, dukuri kjo e cila viteve të fundit ka lulëzuar në vendin tonë.

Tolaj thotë se krahas banderolës, me Projektligjin për çmimin e barnave, në banderolë do të vendoset edhe çmimi i secilit produkt medicinal.

Tolaj: Ky projektligj minimizon kontrabandën me barna

“Ky projektligj e minimizon mund ta themi rrugën ilegale të kontrabandimit të futjes së barnave në të zezë në tregun farmaceotik të Kosovës siç kemi qenë dëshmitarë që kanë lulëzuar gjatë viteve që po lëmë pas…Në këtë institucion shtypen banderolat dhe çdo produkt që nuk ka banderolë konsiderohet produkt që ka kaluar jashtë rrugës legale institucionale ne këtë projektligj parashihet që me rastin tek qarkulluesit me pakicë tek barnatoret parashihet që çdo banderolë ta ketë çmimin në banderolë dhe të gjitha produktet janë të obliguara nëpër barnatore t’i keni edhe banderolat por edhe çmimet e produkteve të vendosura”, theksoi ai.

Sipas tij, projektligji për unifikimin e çmimeve të ilaçeve në vendin tonë, do të mundësojë të kursehet edhe buxheti i Kosovës dhe të ofrojë mundësi që të blihen më shumë barna sesa janë blerë deri tani.

Tolaj tha se ky projektligj ka paraparë edhe rimbursimin e barnave.

Tolaj: Projektligji për çmimin e pajisjeve medicinale kursen buxhetin

“Benifiti tjetër është tek institucionet shëndetësore publike duke përfshirë ministrin e Shëndetësisë, ShSKUK, institucionet primare sekondare, terciare dhe të gjitha këto është i mirëseardhur ky ligj sepse me rastin e furnizimit me barna këto institucione kompanitë farmaceotike kanë konkuruar me çmime jo vetëm në rajon por edhe më gjerë me çmime të larta, e të fryra se nuk kanë pas një tavanë që e ka përcaktuar apo rregulluar. Me këtë mund të themi se përfiton buxheti i Republikës së Kosovës sepse me një buxhet më të vogël pas aprovimit të këtij ligji do të kenë mundësi që institucionet shëndetësore të furnizohen me më shumë barna”, u shpreh Tolaj.

Ndër të tjerash, kryeshefi i AKPPM-së, Sejdë Tolaj theksoi se projektligji që rregullon çmimin e barnave, nuk është i hartuar në frymën e diskriminimit apo favorizimit të askujt.

Tolaj: Ky ligj nuk është hartuar në frymën për të diskriminuar favorizua ndonjë kompani

“Këtij ligji do t’i gëzohen të gjithë madje edhe kompanitë farmaceotike sepse ky ligj nuk është hartuar në frymën për të diskriminuar asnjë kompani apo me favorizua një kompani tjetër. Se është i vonuar pajtohemi të gjithë pa dallim se Kosova ka humbur shumë vite derisa ta kemi një projektligj në dispozicion, por trendi i fundit mund ta quaj kam një mesazh edhe për deputetët sepse janë të zgjedhurit është treni i fundit që ky ligj të miratohet në parlament dhe ky institucion do ta kenë barrën më të madhe”, theksoi kryeshefi i AKPPM-së.

Ai u shpreh se barnat dhe pajisjet tjera medicinale në Kosovë sa i përket cilësisë janë të sigurta dhe u nënshtrohen kontrolleve të nevojshme.

Tolaj: Kosova ka barna të sigurta

“Janë të sigurta sepse ekziston legjislacioni në këtë institucion ligji për produkte por edhe udhëzimet e akte nënligjore që garantojnë një gjë të tillë sepse kryesisht importohen produkte të cilat janë në tregun evropian IFD e tregun në Amerikë dhe iu nënshtrohen kontrolleve”, shprehet Tolaj.

Tolaj ka theksuar se për ata që nuk do e zbatojnë këtë ligj, pasojnë gjoba nga 1 mijë deri në 10 mijë euro.

Ndërsa, theksoi se në Kosovës aktualisht janë mbi 830 barnatore dhe 130 depo për produkte dhe pajisje medicinale. Me këtë rast, kryeshefi i AKPPM-së ngriti nevojën që të rregullohet edhe aspekti i funksionimit të barnatoreve në vendin tonë.

Projektligji për Çmimin e Produkteve Medicinale në muajin mars është miratuar në Qeverinë e Kosovës dhe tani ndodhet për procedurat tjera në Kuvendin e Kosovës.

Kosova që nga paslufta nuk ka pasur një ligj që unifikon çmimin e barnave, ndonëse ka pasur disa përpjekje që kjo të rregullohej edhe me udhëzim administrativ.

E përgjatë kësaj kohe pacientët e Kosovës janë detyruar të blejnë barna me çmime të ndryshme dhe më të shtrenjtat në rajon.

/TV Malisheva

Share.