Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot, në 15-vjetorin e Kushtetutës është shprehur se Kushtetuta është motori i demokracisë dhe zhvillimit.
Ai ka ftuar qeverinë që të tërhiqet nga sjelljet kundërkushtetuese dhe ta ruajë sigurinë juridike.
“Jemi krenarë që kemi Kushtetutë moderne e të avancuar që është shkruar mbi parimet më të larta të njerëzimit duke lartësuar të drejtat e njeriut, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave, demokracinë vibrante, kontrollin dhe balancin e pushteteve, ekonominë e tregut të lirë dhe sundimin e ligjit. Kushtetuta e Republikës së Kosovës mori shpirtin e saj nga populli ynë paqedashës dhe nga skena politike e cila deri më tash respektoi me dinjitet vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe atëherë kur ato nuk ju konvenuan grupacioneve politike. Ftoj edhe këtë qeveri që të tërhiqet nga sjelljet kundërkushtetuese dhe ta ruajnë sigurinë juridike të cilën e ndërtuam me vite. Siç thuhet edhe në Kushtetutë, pushteti i Qeverisë buron nga Kushtetuta, andaj edhe çdo sjellje kundër saj e humb legjitimitetin dhe legalitetin qeverisës.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, me ç’rast, ka uruar ditën e miratimit të Kushtetutës.
Kushtetuta e Kosovës është ratifikuar më 9 prill 2008 dhe ka hyrë në fuqi më 15 qershor të vitit 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.H
/TV Malisheva