Drejtuesit e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup dhe Fondacionit “Hasan Prishtina” – Prishtinë kanë vendosur lule në Memorialin përkujtimor “Bllaca 99” me rastin e 24-vjetorit të eksodit masiv të popullatës shqiptare.

Llogaritet se rreth 440 mijë refugjatë shqiptarë të dëbuar nga forcat serbe, pas nisjes së bombardimeve të NATO-s, kanë kaluar nëpër Kampin e Bllacës.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Skender Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës, por edhe asaj të Maqedonisë së Veriut, që në këtë vend të ndërtohet një Qendër Memoriale për ta kujtuar të shkuarën.

“Shqiptarët kanë pësuar shumë keq ndër shekuj dhe kufijtë e tyre tronditje. Por, me luftën e UÇK-së dhe ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, Kosova e fitoi lirinë. Prerja historike ka ndodhur pikërisht në këtë vend ku makineria serbe shpërnguli 500 mijë shqiptarë. Janë pikërisht ngjarjet e Bllacës të prillit të vitit 1999 që kanë bërë që bashkësia ndërkombëtare të jetë afër shqiptarëve”.

Aktualisht pjesë e Kompleksit Memorial “Bllaca 99” janë Muri i Kujtesës, Parku “Hasan Prishtina” dhe Treni i të zhvendosurve.

“Ky tren dhe ky park memorial na kujtojnë të kaluarën. Ky është vendi që buron shteti i Kosovës dhe duhet të ndërtohet një Qendër Memoriale për ta kujtuar të shkuarën”, u shpreh Asani, i cili pati një kritikë për institucionet e Kosovës dhe ato të Maqedonisë së Veriut.

“Ka munguar një seriozitet me i madh i institucioneve, si të Kosovës ashtu dhe të Maqedonisë së Veriut për të ndërtuar një qendër memoriale, qe t’i përkujtojmë karvanët e mijëra shqiptarëve”, tha Asani.

Mehmet Prishtina nga Fondacioni “Hasan Prishtina”, kërkoi që në këtë vend të krijohet një muze me atë që ka ndodhur atë vend.

“Në çdo përvjetor të inaugurimit të Murit të Kujtesës dhe Parkut “Hasan Prishtina” kthehemi këtu për të kujtuar eksodin drejt Bllacës dhe planin famëkeq për dëbimin masiv të shqiptareve të Kosovës nga trevat e tyre. Fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite, dhimbjet janë te freskëta e plagët janë te hapura sidomos kur kemi parasysh mungesën e me te dashurve tanë të cilët ende gjinden te zhdukur, e pa gjetjen e secilit prej tyre, kurrë nuk do te kemi zemrat tona të qeta”.

“Sot pas 24 vitesh Bllaca na bashkon sërish. ‘Bllaca 99’, ndoshta duhej të quhej 98-99. Përvjetorë të tille të gjithëve na kthejnë pas në histori qv me dëshirë do të donim mos të përsëritej asnjëherë, por ata që e harrojnë të kaluarën, rrezikojnë që ajo të përsëritet”, tha ai.

“Uroj që shteti jonë t’i kthejë sytë kah kjo qendër e gjenocidit, një nismë që ka nisur nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe porosia jonë është që të gjitha iniciativat e tilla të fokusohen në bashkëpunim sa më të ngushtë që vlerat tona, vuajtjet tona të çimentohen dhe një ditë në këtë qendër të krijohet një muze. Këtu ka pasur lindje, këtu ka pasur martesa, këtu ka pasur vdekje dhe është një vend i shenjtë për kombin tonë”, u shpreh tutje Prishtina.

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Mehmet Ballazhi tha se eksodi i Bllacës i përngjanë “holokaustit”. Edhe Ballazhi ftoi që në këtë vend të ndërtohet një qendër përkujtimore.

“Jemi këtu për ta kujtuar masakrën serbe ndaj popullit shqiptar. Ky vend i përngjan një holokausti. Jam i hapur për bashkëpunim që ta ndërtojmë këtu një qendër përkujtimore. I bëj ftesë Qeverisë që ta marrë parasysh këtë kërkesë”, u shpreh ai.

Sabri Kadriu, nga fondacioni “Idriz Seferi” dhe njëkohësisht pasardhësi i familjes Seferi, tha se Bllaca është një vend i shtrenjtë që e vërteton përkushtimin e shqiptarëve për liri.

Njëjte u shpreh edhe pasardhësi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini, i cili tha se si gjeneratë që ka përjetuar luftën e fundit në Kosovë, e çmon shumë përkujtimin e ngjarjeve të tilla. Edhe Boletini ka kërkuar qe në Bllacë të ndërtohet një qendër përkujtimore.

/TV Malisheva

Share.