“Palët janë dakorduar për marrëveshje dhe kush nuk e zbaton marrëveshjen sipas asaj që është diskutuar në Ohër, do të ketë presion që ta zbatojë. Ndërsa, cilët nga pikat i sheh problematike për t’i zbatuar, unë nuk jam zonja Meri që ta di se çfarë ata mendojnë”, thotë Haliti.
Haliti thotë se Vuçiq po përpiqet ta paraqes veten para opinionit të brendshëm që është nën presion.
“Presidenti Vuçiq do të përpiqet të eskivojë duke e paraqit veten para opinionit të vet të brendshëm që është nën presion duke thënë se nuk pata çare pa e miratu, sepse kostoja për Serbinë është shumë e lartë”, thotë Haliti.
Haliti theksoi se asnjëra palë nuk mund t’i ikë kësaj marrëveshjeje.
“Ata janë zotuar për marrëveshje në prezencë të BE-së dhe SHBA-ve, asnjëra palë nuk mund t’i ikë kësaj çështjeje. Nëse Vuçiq e llogarit veten të fuqishëm për të filluar një luftë të re në Ballkan, atëherë do ta shohim se kush do të jetë fitimtari”, tha Haliti
Kujtojmë se, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do ta zbatojë totalisht marrëveshjen e arritur së fundmi me Kosovën.
Vuçiq i tha televizionit publik serb se disa pika nuk do të zbatohen nga ana e Serbisë. Deklaratën e tij e ka cituar Blerim Vela, shef i stafit në kabinetin e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, duke thënë se Perëndimi tani duhet t’i vë sanksione Serbisë.
“Ne do t’i zbatojmë disa pjesë (të marrëveshjes), ndërsa të tjerat jo. E kam bërë të qartë se çka nuk do të zbatoj”, ka thënë Vuçiq.
Vela tha se kjo është “një kontradiktë e qartë” me atë për të cilën ka pasur marrëveshje si dhe me qëndrimin e Bashkimit Europian.
“Sanksionet duhet të pasojnë!”, ka shkruar Vela në Twitter.
/TV Malisheva