Ministria e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut ka bërë të ditur listën e anëtarëve të grupit punues për ndryshimet kushtetuese. Partitë parlamentare opozitare e kanë bojkotuar atë duke mos propozuar asnjë anëtar.
Përfaqësuese e LSDM-së do të jetë, Cvetanka Ivanova, nga BDI-ja Arbër Ademi, Remzi Mehmedi nga Aleanca për Shqiptarët, si dhe shtatë përfaqësues të tjerë të partive nga koalicioni qeverisës, njofton Alsat.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski tha se tema e grupit të punës për të është e mbyllur.
Edhe pse pritej, mbrëmë deri në mesnatë Besa nuk delegoi përfaqësuesin e saj.
Grupi i punës nuk do të ketë anëtarë as nga Alternativa dhe E Majta.
Ministria e Drejtësisë ka thënë se paralelisht me punën e grupit të sapoformuar do të ketë edhe diskutime publike ku të gjithë do të mund të shprehin qëndrimin e tyre për ndryshimet kushtetuese.
“Ky trup pune është formuar nga Ministria e Drejtësisë dhe është ngarkuar nga Qeveria të përgatisë propozim-nismën për nevojën e ndryshimeve kushtetuese. Propozues i ndryshimeve kushtetuese është Qeveria. Pas përgatitjes së ndryshimeve, propozimi do të kalojë në të gjitha trupat punuese brenda Kuvendit”, kanë njoftuar nga ministria e Drejtësisë.
Ministria deri në fund të javës do t’i shpallë ekspertët e ftuar, ndër të cilët është edhe ish-gjykatësja në Strasburg, Margarita Caca Nikollovska.
Ajo thotë se ky grup pune nuk e zëvendëson komisionin kushtetues në Kuvend, ku më pas do të gjenden ndryshimet e propozuara.
“Grupi i punës paraqet një vizion. Si do të jetë aktiviteti politik në të ardhmen është çështje krejtësisht tjetër. Kuvendi është ai që do duhet t’i votojë dhe prandaj habitem përse tani duhet të diskutohet nëse ka konsensus apo jo. Dihet që nuk ka konsensus, por qytetarët duhet të kenë më shumë informacion ndër të tjera edhe për atë pse nuk ka konsensus”, ka thënë Margarita Caca Nikollovska.
Grupi i punës pritet të mbajë mbledhjen e parë pas festave.
Aty pritet të marrin pjesë edhe Aleksandar Spasov si përfaqësues i Presidentit, Dragan Tilev përfaqësues i Sekretariatit për Çështje Evropiane dhe Shpend Sadiki nga Ministria e Punëve të Jashtme.
/TV Malisheva