Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para kabinetit qeveritar dënoi sot sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, me ç’rast, tha se mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike.
Kurti: Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike
“Sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla, është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike, të cilën e prezantojmë dhe promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë se sa liria e fjalës. Z. Syla i urojmë shërim dhe rikuperim të shpejtë, ndërkaq nga institucionet e rendit, presim dhe kërkojmë që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur, ashtu që autorët sa më parë të vihen para drejtësisë”, u shpreh Kurti.
Drejtori i gazetës “Metro” dhe gazetari Valon Syla është sulmuar mbrëmjen e së martës. Syla, që ka qenë i angazhuar në emisionin “Pressing” në T7 si analist, pas emisionit është sulmuar dhe si pasojë ka marrë trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka informuar sot se janë duke u zhvilluar hetime intensive për sqarimin e rrethanave që lidhen me rastin e sulmit fizik ndaj gazetarit Valon Syla. Rasti është cilësuar si “Lëndim i lehtë trupor”.
/TV Malisheva