Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila tha se Kosova është ballafaquar me numrin më të lartë të kritereve teknike për liberalizimin e vizave.
Ajo theksoi se dje në Strasburg u përmirësua një padrejtësi e cila pengoi për një dekadë udhëtimin pa viza. Sipas saj, serioziteti i Qeverisë Kurti pamundësoi shtyrjen e mëtutjeshme për lëvizje të lirë të qytetarëve.
Në seancën e sotme plenare, Kusari Lila u shpreh se kjo barazi me popujt tjerë evropianë duhet të shërbejë si motiv dhe reflektim në përmirësimin e jetës.
“Dje u përmbyll procesi më i gjatë dhe i vështirë i liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj. Pas nënshkrimit të këtij akti, dje në Strasburg u përmirësua një padrejtësi e cila pengoi për dhjetë vite me radhë udhëtimin në zonën Schengen pa viza për kosovarët. Përveç faktit se Kosova u ballafaqua me numrin më të lartë të kritereve teknike, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, ky proces fatkeqësisht ndër vite u lidh edhe me procese politike të cilat në kontekstin e lëvizjes së lirë nuk kisha asnjë ndërlidhje mes veti. Në dy vitet e fundit, shtyrja e procesit u ndërlidh me dialogun Kosovë-Serbi dhe pa arsyetime formale, liberalizimi i vizave përdorej si shkak i kushtëzimit të Kosovës sipas dinamikës së dialogut, në të cilën i suksesi i procesit nuk varet nga njëra palë e aq më pak nga pala e dëmtuar në këtë rast, Kosova”, ka thënë ajo.
Shefja e deputetëve të shumicës shtoi se përkundër vonesës është lajm motivues, lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës.
“Serioziteti i qeverisë Kurti në zbatimin e reformave për rend dhe ligj, për shtet të së drejtës, për transparencë dhe llogaridhënie, për liri të fjalës dhe media të lira, progresi i vendit në indikatorët ndërkombëtarë, si Freedom house, indeksi i lirisë së shtypit, përkushtimi në barazi të palëve dhe mbajtje në llogaridhënie Serbinë në procesin e dialogut, pamundësoi shtyrjen dhe kushtëzimit të mëtutjeshëm të kësaj të drejte të mohuar gjatë për qytetarët e vendit”, ka shtuar ajo.
Kusari Lila u shpreh se Kosovën tashmë e pret një proces tjetër i rëndësisë së lartë që është anëtarësimi në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës.
/TV Malisheva