Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se qeveria ka panik të madh në raport me aferat korruptive. Të njëjtit, siç tha ai, gjatë ditës së djeshme kanë sulmuar organet e pavarura të drejtësisë.
Ai e ka konsideruar “mega-skandal” arrestimin e djeshëm të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
“Mega-skandali i djeshëm në KEK dhe veprimi i orkestruar i mbrojtjes para se me u dit, as hetimi për çka, as çfarë tenderash janë, as për çfarë arsyeje ka shkuar policia dhe prokuroria në KEK, tregon shumë qartë panikun e madh që ka kjo qeveri në raport me këto afera korruptive. Komunikimi i djeshëm dhe sulmet që u janë bërë organeve të pavarura të drejtësisë, prokurorisë dhe gjykatave tregon për një alarm që është në qeveri në raport me këtë aferë korruptive, mirëpo edhe me aferat tjera potenciale që mund të vijnë edhe te organi shqyrtues i prokurimit”, ka deklaruar Tahiri.
Ai në seancën e sotme plenare ka kërkuar nga pushteti që të mos e mbrojnë aferën korruptive të Martin Berishës.
“A është kjo drejtësia që keni proklamuar? A nuk është e mundur që t’ia lejmë këtë hetim organeve që janë përgjegjëse dhe pastaj të shohim se ku po del ky. Ajo që shihet dhe ajo që duket është se ky është vetëm fillimi. Dhe zinxhiri në emër të votave të juaja, në emër të 51 për qindëshit korruptiv po shihet që nuk do të jetë i gjatë. Kërkesa ime për ju është mos e mbroni, qysh e keni mbrojtur aferën korruptive të Martin Berishës, për shkak se shihet qartë që veprimi i policisë dhe prokurorisë është vetëm në nisje në këtë temë”, ka shtuar ai.
/TV Malisheva