Takimi i 2 maj ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, do të jetë vetëm formal.
Kështu të paktën po vlerësojnë ish-bashkëpartiak të Kurtit, pasi sipas tyre, në takim do të diskutohen modalitetet dhe proceduat për zbatim të marrëveshjes së Ohrit.
Sipas tyre Kosova në këtë marrëveshje ka bërë kompromise dhe nuk e ka fituar qëllimin kryesor që ka pasur, njohjen nga Serbia.
Ish-deputeti i VV-së, Afrim Kasolli, tha se në këtë takim pritet ndonjë dakorkim për përshpejtimin e dinamikës së zbatimit të marrëveshjes, por që kjo varet edhe nga zhvillime politike që po e shoqërojnë Kosovën.
“Sipas të gjitha gjasave në takimin i cili është paraparë që të mbahet në maj ndërmjet dy liderëve, do të diskutohet me modalitetet dhe procedurat e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit. Tashmë është bërë publike që është krijuar edhe komisioni vlerësues për zbatimin e këtyre marrëveshjeve dhe ky takim mund të ndodh që do ta hap rrugën dhe do të shërbej si një intensiv e dinamikës së zbatimit të aneksit të marrëveshjes. Mund të pritet vetëm a do të përshpejtohet dinamika e zbatimit të saj, mirëpo kjo do të nvaret nga disa zhvillime paraprake politike që po e shoqërojnë Kosovën”, tha ai.
Kasolli tha se kompromise madhore kanë ndodhur në marrëveshjen e Ohrit, kjo pasi sipas tij. Kosova nuk e ka fituar qëllimin kryesor të saj që e ka pasur, njohjen nga Serbia.
“Kompromiset kanë ndodhur sipas të gjitha gjasave, kjo është një marrëveshje, shënon një kompromis të Kosovës në raport me Serbinë dhe të njëjtën kohë nuk është që kemi fituar qëllimin kryesor, të Kosovës njohja nga Serbia. Pra ne jemi të obliguar që ta zbatojmë këtë marrëveshje por në të njëjtën kohë nuk e përfitojmë atë që është vitale për shtetin e Kosovës njohja nga Serbia”, tha ai.
Përderisa sekretari organizativ i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi, që dikush ishte pjesë e VV-së, tha se Kosova është duke u futur në një cikël të gjatë e të mundimshme me negociata të vazhdueshme.
Ai tha se Kosova është duke pranuar obligime papasur përfitime.
“Qysh po duket tash po futemi në një cikël të gjatë e të mundimshme të negociatave të vazhdueshme. Nuk po kryhet as gjë me marrëveshjen e Ohrit e cila u proklamua si marrëveshje historike, qysh po e shohim zbatimi i saj lë shumë për të dëshiruar. Kosova ka marr obligime të cilat nuk po ka qare pa i zbatuara sepse është zotuar vetë që ka me i zbatuar. E kjo mandej ka me qenë problem sepse po marrim obligime pa pasur përfitim”, tha ai.
Ai theksoi se në fillimi të këtij dialogu, prioritet ka qenë që të jetë më njohje në qendër, por sipas tij, tash në qendër është formimi i Asociacionit.
“Fillimi i këtij dialogu ka qenë dialog për njohjen në qendër, ajo më nuk ekziston dhe në qendër të marrëveshjes është themelimi i Asociacionit. Çka është e qartë është se Qeveria ka hyrë në këtë proces, ka hyrë në procesin e themelimit të Asociacionit. As kush nuk e din se kur do të lëshohet dokumenti për themelimin e tij, por logjikën po e dimë, fundin e këtij procesi e dimë”.
/TV Malisheva