Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj kritikoi Qeverinë e Kosovës se ka përdorur qasje të gabuar në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Selmanaj, në debatin e sotëm parlamentar për zhvillimet në KEK, pas arrestimit të ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, tha se janë të bindur se ky i fundit nuk ka qenë i vetëm në aktivitetet milionëshe dhe të paligjshme të Korporatës Energjetike të Kosovës.

“Qasja e qeverisë Kurti ka qenë e papranueshme që nga kapja e kësaj ndërmarrje nga aktivistët dhe funksionarët e Lëvizjse Vetëvendosje, fillimisht me vendosjen e Nagip Krasniqit në pozitën e kryeshefit të KEK-ut, pastaj me zgjedhjen e bordit të kësaj ndërmarrje. Rolin e tyre në LVV e kanë dëshmuar edhe disa deputetë të LVV, ku kjo fatkeqësisht po konsiderohet edhe si mburrje. LDK vazhdimisht ka ngritur shqetësimet e saj për zhvillimet në këtë korporatë që nga mënyrat se si kjo qeveri dhe KEK-u kanë menaxhuar krizën energjetike në periudhën 2021-2022, shtrenjtimin e faturave të energjisë, mënyrën e subvencionimit dhe punësimet familjare”, tha ai.

Selmanaj nënvizoi se hetimi penal ndaj ish-kryeshefit Krasniqi për keqpërdorim të detyrës në KEK nuk duhet të ndalet, madje ai tha se duhet të zbardhet e vërteta edhe për rolin e ambasadorit Martin Berishaj, ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryeministrit Kurti.

“Presin që ky hetim penal mos të ndalet deri sa të zbardhet e vërteta, deri në detajet e fundit, përfshirë edhe rolin e ambasadorit Martin Berishaj, ministres së Ekonomisë dhe kryeministrit Kurti në gjithë këtë proces. Jemi të bindur se zotëri Krasniqi nuk ka qenë i vetëm në këto aktivitete shumë milionëshe dhe të paligjshme”, përfundoi ai.

/TV Malisheva

Share.