Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut është pritur në takim nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si dhe zhvillimet e fundit.
Presidentja Osmani ka falënderuar kryeministrin Kovaçevski për mbështetjen e Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në këtë kontekst ka përmendur votimin pro të këtij shteti në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës dhe ka kërkuar vazhdimin e kësaj mbështetje edhe në përpjekjet në vijim të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Presidentja Osmani foli për potencialin e madh për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ajo po ashtu foli edhe për bashkëpunimin e mirë në fushën e sigurisë, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe sfidave të tjera të sigurisë.
“Në raport me zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe rajon, është diskutuar për rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit për të kundërshtuar ndikimin e Rusisë në rajon, i cili përbën një kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Ndërsa, në lidhje me Marrëveshjen e Brukselit, Presidentja Osmani vlerësoi se me këtë marrëveshje Kosova dhe Serbia janë palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore, teksa në raport me njëra tjetrën ta njohin parimin e barazisë, sovranitetit shtetëror e integritetit territorial”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës në Prishtinë.
Presidentja Osmani ka bërë të ditur se në këtë proces, Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se në koordinim me partnerët ndërkombëtarë është e përkushtuar për paqe e stabilitet.
Po ashtu në komunikatë thuhet se në këtë takim, ndër të tjera u shtrua nevoja e intensfikimit të mobilitetit të qytetarëve, me finalizimin e pikave të përbashkëta kufitare, sikurse edhe lehtësimi i të bërit biznes. U diskutua edhe ideja e organizimit të një forumi të përbashkët të biznesit, sikurse edhe finalizimi i pjesës së mbetur të autostradës Bllacë-Shkup.
Në kuadër kësaj vizite, Osmani në Shkup është takuar edhe me homologun e saj, Stevo Pendarovski dhe mbajti një fjalim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
/TV Malisheva