Nga qiellgërvishtësit, që sfidojnë gravitetin, deri te tunelet poshtë detit, bëmat e inxhinierisë civile të njerëzimit janë kudo rreth nesh.
Kompleksiteti i strukturave më të vjetra si Muri i Madh i Kinës, Chichén Itzá dhe Taj Mahal, vazhdojnë të magjepsin vizitorët sot, por vlen të përmendet se “çudi” si këto, nuk janë një koncept modern.
Që në shekullin II p.e.s., libra të lashtë udhëzues dhe poema po shkruheshin nga grekët, që kishin vizituar shtrirjen e mbretërive të Aleksandrit të Madh, duke na dhënë “shtatë mrekullitë e botës”.
Ku ndodheshin shtatë mrekullitë e botës antike?
Shtatë mrekullitë ‘e para’ të botës u ndërtuan rreth Detit Mesdhe dhe në Lindjen e Mesme, gjatë një periudhe prej 3000 vjetësh, të gjitha para erës sonë.
Nga Piramida e Madhe e Gizës në Egjipt deri te Kolosi në Rodos, çdo mrekulli përfaqëson një aspekt të ndryshëm të ambicies dhe zgjuarsisë së njeriut.
Dhe ndërsa vetëm një nga mrekullitë qëndron ende sot, trashëgimia e tyre vazhdon. Le të eksplorojmë historitë pas shtatë mrekullive të botës:
1. Piramida e Madhe e Gizës — 2584 p.e.s.
Egjiptianët e lashtë besonin se, vdekja ishte një pengesë në rrugën drejt një jete të re dhe faraonët varroseshin në varre masive.
Piramida 4500-vjeçare ishte një varr, i ndërtuar për faraonin Khufu. Me një lartësi prej 147 metrash (139 metra sot), ky monument është më i vjetri dhe më i madhi, nga shtatë mrekullitë e botës. Është gjithashtu e vetmja mrekulli e lashtë, që ende qëndron në këmbë.
2. Kopshtet e varura të Babilonisë – 600 p.e.s.
Kopshtet e Babilonisë, besohet se kanë qenë një oaz mahnitës në mes të shkretëtirës në vitin 600 p.e.s., me kopshte të shkallëzuara me pemë, shkurre dhe bimë kacavjerrëse.
Besohet se mbreti Nebukadnetsar II, i ndërtoi këto kopshte për gruan e tij Amytis, së cilës i mungonin kodrat e atdheut të saj Media (Irani Veriperëndimor).
Megjithatë, ekzistenca e tyre është kundërshtuar nga historianët, të cilët kanë luftuar për të gjetur prova konkrete arkeologjike. Besohet se kopshtet janë shkatërruar nga një tërmet pas 700 vjetësh, duke i bërë ato mrekullinë e lashtë më jetëshkurtër.
3. Tempulli i Artemidës në Efes – 550 p.e.s.
I ndërtuar në shekullin VI p.e.s., ky tempull iu kushtua perëndeshës greke Artemis. Edhe më i madh se një fushë futbolli e sotme dhe me më shumë se 127 kolona, ishte tempulli i parë tërësisht prej mermeri i ndërtuar ndonjëherë në Greqi.
Tempulli u shkatërrua dhe u rindërtua disa herë. Përfundimisht u shkatërrua rreth fillimit të shekullit V.
4. Statuja e Zeusit në Olimpia – 435 p.e.s.
Në vitin 435 para Krishtit, skulptori grek Phidias u ngarkua të krijonte një statujë të madhe të Zeusit në Olimpia, ku ndodhej Tempulli i Zeusit si dhe Lojërat Olimpike të lashta.
Statuja ishte e ulur në një fron të bërë nga fildishi, ari dhe druri, duke mbajtur një skeptër masiv, me një shqiponjë në njërën dorë dhe një statujë të vogël të Nike, perëndeshës së fitores, në tjetrën. Besohej se ështe shkatërruar në kohën e romakëve rreth vitit 400, por nuk dihet si.
5. Mauzoleumi në Halicarnassus – 351 p.e.s
Ashtu si Aleksandria ose Babilonia e sotme, Halicarnassus ishte një qytet i lashtë i lulëzuar dhe kryeqytet i Karia. Sundimtari i saj më i famshëm ishte Mausolus, mbreti i Karia, dhe kur ndërtoi kryeqytetin, ai porositi gjithashtu një varr mbi tokë për vete.
I ndërtuar në vitin 351 p.e.s., mauzoleumi ishte mbi 45 metra i lartë dhe i stolisur me skulptura mahnitëse dhe gdhendje të ndërlikuara. Ndonëse u shkatërrua nga shumë tërmete lokale midis shekujve XII dhe XV, trashëgimia e tij vazhdon, ndërsa fjala mauzoleum vazhdon të përdoret për varret madhështore.
6. Kolosi i Rodosit – 292 p.e.s.
Në vitin 304 p.e.s., qyteti port i Rodosit në Greqi, i rezistoi me sukses një rrethimi njëvjeçar dhe njerëzit e tij festuan duke përdorur armë të braktisura për të krijuar një statujë të madhe të perëndisë së lashtë greke të diellit, Helios.
Ajo qëndronte mbi hyrjen e portit në qytet dhe ishte afërsisht e njëjta lartësi (33 metra) me Statujën e Lirisë. Dhe megjithëse Kolosi ra pas një tërmeti të vitit 226 p.e.s., ai u shtri në tokë dhe ishte ende mbresëlënës për 800 vjet të tjera.
7. Fari i Aleksandrisë – 280 p.e.s.
Fartet shërbejnë si fenerë për të gjithë ata që janë në det, dhe fari i Aleksandrisë nuk ishte ndryshe. Megjithatë, arkitektura e tij mbresëlënëse prej 100 metrash gur ranor dhe gëlqeror, nuk ishte aspak e thjeshtë, duke qenë një nga strukturat më të larta të krijuara nga njeriu në botë, për shekuj me radhë.
I ndërtuar gjatë kohës së faraonit Ptoleme II Filadelfus, në ishullin e vogël të Faros, thuhet se ishte kurorëzuar me një pasqyrë, që reflektonte rrezet e diellit gjatë ditës dhe zjarrin gjatë natës, duke e bërë atë të dukshëm deri në 50 km larg.
Megjithëse fari u dëmtua nga tërmetet dhe mbijetoi deri në vitin 1480, “pharos” u bë rrënja e fjalës far në greqisht dhe në shumë gjuhë të tjera.
Shtatë mrekullitë e botës moderne
Për të pasqyruar përdorimin dhe kuptimin e vazhdueshëm të termit “shtatë mrekullitë e botës”, Fondacioni New 7 Wonders filloi një fushatë për të zgjedhur shtatë mrekulli të reja në 2001.
Pas një fushate të madhe dhe të gjatë, lista përfundimtare e mrekullive u shpall në 2007:
- Muri i madh kinez, Kinë – viti 700 p.e.s.
- Petra, Jordani – viti 312 p.e.s.
- Koloseu, Itali – viti 80
- Chichén Itzá, Meksikë – viti 600
- Machu Picchu, Peru – viti 1450
- Taj Mahal, Indi – viti 1643
- Krishti Shëlbues, Brazil – viti 1931
Edhe pse nuk u përfshi në listë, në mënyrë që të gjendeshin mrekulli “të reja”, Piramidës së Madhe të Gizës iu dha ende statusi i nderit, si një mrekulli botërore. / Visual Capitalist
/TV Malisheva