Më 28 prill në ambientet e shtëpisë së kulturës ” Tahir Sinani”, u bë përurimi i veprës së autorit të ndjerë, Demush Krasniqi, ”Kujtesa e Llapushës”, Histori, rrëfime e dëshmi 1981-1999.

“Kujtesa e Llapushës – Histori, rrëfime e dëshmi 1981-1999”, është botimi i parë i Demush Osman Krasniqit.

Kush ishte Demush Krasniqi?

Demush Osman Krasniqi u lind më 28.01.1950 në Drenoc të Malishevës, në një familje fshatare, bujare dhe kombëtare. Shkollën fillore deri në klasën e pestë e kreu në Shkollën fillore “Bajram Curri” të Drenocit, ndërsa klasat e tjera, në Shkollën fillore “Mustafa Bakia” të Carrallukës, në vitin 1965. Pas kryerjes së shkollës fillore u regjistrua në Gjimnazin “Ramiz Sadiku” në Rahovec, të cilin e kreu me sukses të shkëlqyeshëm, në vitin 1969. Pas kryerjes së gjimnazit, punësohet në Shkollën fillore “Migjeni” në Lumishtë. Në të njëjtin vit u regjistrua në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.

Studimet në këtë fakultet i mbaroi në vitin 1977. Pas përfundimit të studimeve u inkuadrua në punë sekretar i kombinatit “Malishgan” të Klinës. Në vitin 1978, si praktikant, filloi të punojë në Gjykatën komunale të Klinës, si Gjyqtar i Gjykatës Civile. Në këtë detyrë, është emëruar me 04.04.1980, aty punoi deri në vitin 1988. Nga viti 1988 ka punuar për tre muaj si Sektretar i Kombinantit Bujqësor “Mirusha” në Banjë të Malishevës.

Në vitin 1988 është emëruar Gjyqtar i Gjykatës komunale të Malishevës. Aty punoi deri në vitin 1990, kur pushteti i atëhershëm serb e suprimoi Gjykatën komunale në Malishevë dhe i largoi nga puna të gjithë punëtorët e gjykatës. Në vitin 1990, rreth tre muaj në Komunën e Malishevës punoi referent i Këshillit Ekzekutiv, deri kur është suprimuar nga pushteti serb edhe Komuna e Malishevës, dhe janë larguar nga puna të gjithë punëtorët e kësaj komune.

Prej vitit 1990, kur pushteti serb i mori me dhunë të gjitha instuticionet e komunës, punëtorët shqiptarë kalojnë në ilegalitet, në të njëjtën periudhë kur formohet komuna paralele me shqiptarë. Po atë kohë, kryetar komune, emërohet Daut Krasniqi, nga Drenoci, kurse stafi tjetër emërohen drejtorë të drejtorive, ndërsa Demush Krasniqi, emërohet drejtor i Drejtorisë së Financave.

Ka punuar edhe si Kryetar i Shoqatës së juristëve të Kosovës – dega në Malishevë.

Përshkrim i librit: ”Kujtesa e Llapushës”

Libri “Kujtesa e Llapushës – Histori, rrëfime e dëshmi 1981-1999” i autorit Demush Krasniqi, mund të lexohet nga këndvështrime të ndryshme, të disa ngjarjeve dramatike, në disa periudha, secila më domethënëse se tjetra, ku lexuesi do të mësojë shumëçka, tashmë të ditur botërisht, por të rrëfyer në një mënyrë të veçantë me plot emocione, ngjarje, të cilat, jo shumë, janë trajtuar nga autorë historie, për fatin e popullit shqiptar të këtyre trevave dhe mund të quhet si një lloj homazhi historik i sakrificave për fatin e tij.

Ngjarjet e pasqyruara në këtë libër, janë histori të vërteta, po aq edhe të dhimbshme. Ato përmbajnë akuzën që shprehet me fjalën gjenocid, për të cilën duhet të dënohen ata që e bënë. Gjejmë në këto kronika, tortura, vrasje barbare të qytetarëve të pafajshëm nga paramilitarët, policia dhe ushtria serbe, pushkatime masive të burrave, grave, fëmijëve e pleqve. Gjejmë dëbime në masë të popullatës, nga trojet e tyre, grabitje, djegie dhe shkatërrime gjithandej.

Në libër nuk ka fantazi, por kujtime të dhimbshme të dëshmuara përmes dëshmitarëve të drejtpërdrejtë të ngjarjeve, të cilat, autori i ka siguruar përmes intervistave me ta, të fotografive të cilat i ka siguruar gjatë punës në terren me bashkëpunëtorët e tij.

Autori i librit, Demush Krasniqi, librin e fillon me një kronologji të shkurtër për Llapushën, komunën e Malishevës, për të vazhduar pastaj me ngjarjet e viteve 1981, me periudhën e kthesave të mëdha për shqiptarët e Kosovës 1989- 99 duke filluar nga pushtimi i institucioneve të Kosovës nga Republika e Serbisë, fillimet e para të reagimeve për pavarësinë e Kosovës, përmes rrugës paqësore, represionin e forcave ushtarake dhe policore jugosllave ndaj popullatës vendore, paraqitjen publike të UÇK-së, dhe luftën që bëri ajo me forcat serbe si dhe intervenimin e NATO-s, ndaj forcave ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe, që përfundon me tërheqjen e forcave serbe nga Kosova në qershor të vitit 1999, që shënon fundin e pushtimit serb në Kosovë dhe çlirimin e vendit, me theks të veçantë, për ngjarjet e trishta që kishin ndodhur gjatë luftës së fundit në komunën e Malishevës. Pra, civilët shqiptarë ishin cak i kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Disa vite më parë, respektivisht pas mbarimit të luftës së fundit në Kosovë, Demush Krasniqi, nga Drenoci i Malishevës, gjyqtar në gjykatën komunale të Malishevës, emërohet udhëheqës i një komisioni për hulumtimin, identifikimin, përcaktimin e gjurmëve të viktimave nga terrori serb.

Autori, vjen me këtë libër, me dëshirën për t’ua lënë brezave historinë e intelektuale, patriotike dhe qytetare, për të publikuar ngjarjet që kanë pjesë e jetës së tij, por edhe të njerëzve të këtij mjedisi. Në këtë libër ai paraqet fatin e qytetarëve të Malishevës, që është i lidhur edhe me fatin tragjik por edhe krenar me fatin e popullit në përgjithësi.

Duke qenë i sfiduar në shumë aspekte, por edhe përjetues i drejtpërdrejt i situatave dramatike, ai, merr shumë energji dhe me përkushtim të madh, i rreket punës për ta ndriçuar fatin institucional të Malishevës si komunë, por edhe fatin e qytetarëve të saj në periudha të ndryshme kohore, me theks të veçantë në periudhën e luftës së fundit në Kosovë, të viteve 1998-1999, që njihet si periudha më dramatike, por që orientoi drejt fatin e Kosovës.

Me një paraprirje kronologjike të shkurtër për ngjarjet e ndryshme që kanë ndodhur në të kaluarën jo të largët në këtë komunë, duke ia filluar nga grumbullimi i dëshmive përmes hulumtimeve të tij, përmes instrumenteve si intervista me qytetarë të ndryshëm, në cilësinë e dëshmitarëve, si përjetues të drejtpërdrejtë të ngjarjeve në periudha të ndryshme, përmes pyetësorëve, fotografive, por edhe si vetëpërjetues i ngjarjeve dhe situatave dramatike, duke i identifikuar viktimat (kufomat), që ishin vrarë, masakruar dhe hedhur në vende të ndryshme nga forcat serbe, por edhe përjetimet tragjike të popullatës në këto territore si: zhvendosje nga një vend në tjetrin, rrahje, tortura, maltretime të ndryshme, vrasje, masakrime të llojeve të ndryshme, djegie të fshatrave të tëra, djegie të njerëzve dhe pasurive të tyre deri në largim nga trojet e tyre etnike dhe shndërrimin e një vendi në tokë të djegur, duke mos e kursyer fëmijë, pleq, njerëz të palevizshëm, të hendikepuar.

Ngjarje të tilla si këto, por edhe më të rënda kanë ndodhur edhe në vende të tjera të Kosovës, disa prej të cilave, kanë mbetur në heshtje, pasi që nuk kanë pasur fatin ti ofrohen nga afër opinionit ndërkombëtar. Edhe se u ofruan dëshmi, për viktima të shumta, që patën dëshmitarë e të mbijetuar të drejtëpërdrejtë të vrasjeve, masakrimeve dhe të ngjarjeve të tjera.

Me këtë libër, autori, ka arritur t’i bëjë të njohura disa nga ngjarjet më dramatike dhe më të dhimbshme të ndodhura në komunën e Malishevës. Ai, ka arritur që përmes hulumtimeve në terren, të siguroj të dhëna për masakrat, vrasjet, dhunën dhe torturat e ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë, që kishin kryer në këto territore ndaj popullatës së pafajshme.

Autori i librit, Demush Krasniqi, i bindur se të vërtetat për bëmat e forcave serbe në këtë periudhë, duhen argumentuar me fakte, ishte këmbngulës, se duhej të bashkëpunonte me organin e Tribunalit të Hagës, që kishte ardhur për të hetuar krimet serbe në territoret e Komunës së Malishevës e më gjerë.

Ishte rregull i punës, të punëtorëve të Tribunalit të Hagës, se aty ky janë dy-tri viktima, të mos merren me ato raste, por, Këshilli i cili udhëhiqej nga Demush Krasniqi, kishte vendosur që me mundësitë të cilat i kishin në dispozicion të merreshin me të gjitha rastet e krimeve, edhe të disa rasteve të viktimave të drejtëpërdrejta duke i zhvarrosur nga vendet e krimit, por edhe të veprave tëtjera të shkaktuara nga forcat serbe.

Për të gjitha rastet, që kanë pasur mundësi, përveç ekzaminimit të kufomave dhe mbetjeve mortora, kanë marrë edhe deklarata të dëshmitarëve të cilët kanë pasur rastin të jenë në mesin e viktimave, ose të atyre të cilët kanë pasur mundësi t’i vëzhgojnë në afërsi. Ata kanë rrëfyer për masakrat, djegjet e shtëpive, mizoritë dhe torturat makabre që kanë ushtruar forcat serbe ndaj e Burimit, Plloqicës, Gurbardhit,civilëve shqiptarë, siç janë: Masakra Turjakës, Damanek, Gollubocit, Balincë… etj.

Libri është shkruar pa ngjyrime artistike, por duke pasur kujdes të veçantë në vërtetësinë e dëshmive të dhëna nga dëshmitarët, të cilët i kishin përjetuar nga afër të gjitha këto tmerre të shkaktuara nga forcat serbe.

Ky është libër me dëshmi të sigurta, për t’i treguar gjeneratave, për të vërtetën se çfarë ka ndodhur në këtë pjesë të Kosovës, me fatin e vendit e të qytetarëvetë saj.

Leximi i këtij libri do t’i sjellë lexuesit kujtime të ngjarjeve tronditëse të cilat kanë ndodhur gjatë atyre viteve të dhimbshme, por edhe krenare, për sublimimin e njerëzve për të jetuar të lirë dhe të pavarur në trojet e tyre etnike.

Libri, do t’u shërbejë: historianëve, gazetarëve, organeve të drejtësisë, gjeneratave të ardhshme dhe të gjithë atyre që dëshirojnë të dinë të vërtetat për plaçkitjet, djegiet, dëbimet nga forcat ushtarake dhe policore serbe në Komunën e Malishevës.

/TV Malisheva

Share.