Kryeparlamentari Glauk Konjufca deklaroi se Kosova dhe Serbia janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe për shkak të qëndrimeve të palëve. Ai tha se duhet të ndryshojë Serbia në mënyrë që të ketë një marrëveshje. Konjufca përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shkarkuar ekipin menaxhues për propozimin e draftstatutit të Asociacionit, ndërsa paralajmëroi se Kosova nuk do të heq dorë nga parimet e saj në lidhje me këtë mekanizëm e që nuk do të lejojë të ketë kompetenca ekzekutive.

Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Konjufca kritikoi ekipin menaxhues që ka propozuar draftstatutin e Asociacionit duke thënë se mbrojti interesat e Serbisë dhe jo të Republikës së Kosovës, pavarësisht se ishte emëruar nga qeveritë e mëparshme, të cilat nuk i kurseu gjithashtu nga kritikat.

“Gjithçka ishte e pritshme lidhur me atë që ndodhi, ekipi menaxhues i cili ishte vendosur prej qeverive të mëparshme të Republikës së Kosovës pati një qëndrim vërtetë tronditës për neve meqenëse atje prezantoi interesat e Republikës së Serbisë, jo interesat e Republikës së Kosovës. Po shihni edhe vetë se çfarë ekipi menaxhues dhe çfarë institucionesh kanë vendosur qeveritë e mëparshme, kanë vendosur zyrtarë të cilët absolutisht nuk kanë lidhje me interesa të Kosovës, bile-bile njëra prej tyre ishte bërë deputete në Parlamentin e Serbisë dhe ishte deputete e partisë së Aleksandër Vuçiqit. Kështu që nuk patëm ne çfarë të presim tjetër prej këtij ekipi menaxhues, ky ekip menaxhues e prezantoi një draftstatut i cili faktikisht është një lloj ‘Republike serbe’ brenda Republikës së Kosovës”, deklaroi Konjufca.

Konjufca deklaroi se çdo propozim për statut të Asociacionit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se çdo zgjidhje që jepet përtej kornizave të Kushtetutës është e pavlefshme.

Ai tha se i pëlqeu dhe e mbështet aktin e shkarkimit të ekipit menaxhues.

“Një ekip i cili përfaqëson interesat e Aleksandër Vuçiqit e jo interesat e popullit tonë, i cili ka sakrifikuar shumë që të arrihet shteti dhe liria, nuk ka çfarë të kërkojë në pozicione zyrtare, nuk ka se si të përfaqësojë popullin dhe qytetarët e Kosovës, pra ata e përfaqësuan Serbinë në ditën e djeshme dhe fort mirë që u shkarkuan… Shumë mirë ka vepruar Qeveria e Kosovës, për ne nuk është kurrfarë befasie sepse personat të cilët janë caktuar prej Vuçiqit dhe prej Rakiqit, nuk mund të shkruanin statut tjetër, natyrisht që e kanë shkruar për të shkatërruar Republikën e Kosovës dhe funksionimin unitar të shtetit tonë”, vijoi Konjufca.

Konjufca deklaroi se propozimi i Kurtit për “vetëmenaxhimin e serbëve” është brenda asaj se çfarë e lejon Kushtetuta e Kosovës, por tha se kjo nuk i pëlqen Serbisë e prandaj nuk do të ketë marrëveshje.

Kreu i Kuvendit u shpreh se shteti serb duhet të braktisë politikat e tij të nacionalizimit fashist që i ka trashëguar nga Millosheviqi.

“Jam i bindur që në përputhje me Kushtetutën tonë këtu nuk është diçka e pranueshme për Serbinë, prandaj konsideroj që pozicionet janë shumë të largëta, pozicionet janë të papajtueshme mes palëve andaj nuk pres fare që të ketë një marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë dhe kjo nuk mund të ndodhë pikërisht për shkak të drejtimit politik që e ka Serbia sot. Ajo është tërësisht brenda koordinatave politike të nacionalizimit fashist që e ka Serbia prej kohës së Millosheviqit prej viteve ’90-ta, e konsideron Kosovën pjesë të saj, ka bërë gjenocid, nuk ka pendesë për krimet e kryera, nuk distancohet prej asaj veprimtarie që e ka bërë në Kosovë, prej shkeljes masive të të drejtave të njeriut, krimeve të luftës, në fund edhe gjenocidin që e ka ushtruar në Kosovë nuk ka kurrfarë pendese nga ana e Serbisë”, tha Konjufca.

Kreu i Kuvendit deklaroi se Kosova nuk do të heq dorë nga parimet e saj dhe “punë e madhe” nëse kjo është e papranueshme për Serbinë, pasi sipas tij, nuk bëjnë kompromis me kushtetutshmërinë e Republikës.

Sipas tij, Kushtetua e Kosovës lejon që Asociacioni të jetë në formën e një shoqate.

“Ajo çka lejon Kushtetua është shumë e kufizuar. Nëse do të dëshironim të krijonim një hapësirë për një Asociacion i cili do të ishte plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për besë hapësira është shumë e vogël, hapësira është të krijohet një Asociacion simbolik diçka, e cila do të ishte në formë të një shoqate. Nuk ka mundësi më shumë, s’ka hapësirë për institucione të karakterit ekzekutiv. Kjo është e papranueshme për Serbinë por punë e madhe që është e papranueshme për Serbinë kjo është ajo që ne përfaqësojmë, këto janë interesat tona dhe prej këtyre nuk lëshojmë pe”, tha Konjufca.

Sa i përket mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Konjufca tha se kanë trajtuar çështje nga fushëveprimtaria e saj. Sipas tij, i janë përkushtuar 4 rregulloreve të cilat janë shumë të rëndësishme për funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës. Tri prej tyre kanë kaluar ndërsa për një tjetër ritet që të kalohet javën e ardhshme.

/TV Malisheva

Albanian Daily News

Share.