Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, në një intervistë për KosovaPress flet për padinë e ngritur kundër tij nga presidenti Hashim Thaçi për shkak të deklarimeve për vëllavrasje.

Ai thotë se kjo padi është bërë krejtësisht pa ndonjë arsye, ndërsa qëllim të vetëm ka frikësimin.

Sipas tij, ngritja e padisë mbetet në ndërgjegjen e presidentit, ndërsa u shpreh i bindur se nuk do të flasë kurrë më me të.

Ai theksoi se do të ishte më e arsyeshme që presidenti të bënte padi ndaj atyre që vranë njerëz të pafajshëm dhe dhunuan mbi 20 mijë gra gjatë luftës në Kosovë.

Bahtiri: Nuk ka njeri në botë që e frikëson Agim Bahtirin

“Ju e dini se Hasha ka ngritur padi ndaj meje pa asnjë arsye, për ta frikësuar Agim Bahtirin. Po ju them një, nuk ka njeri në botë që e frikëson Agim Bahtirin… Kam pasur shumë kërcënime gjatë këtyre viteve sa jam kryetar, por askush në jetë nuk ka mundur të më shantazhojë, e as kryetari i shtetit, e asnjë njeri. Për çka ka bërë padi, le të mbetet në ndërgjegjen e tij… As nuk kam kontaktuar dhe as nuk do të kontaktoj kurrë më me të, për arsye se i ka kaluar të gjitha kufijtë njerëzorë”, ka thënë Bahtiri.

Kryetari Bahtiri foli edhe për paralajmërimet e presidentit Thaçi në lidhje me hapat kushtetues për krijimin e një qeverie të re.

Sipas tij, opsion i vetëm janë zgjedhjet dhe çdo variant tjetër do të jetë i padrejtë dhe i papranueshëm.

Në të kundërtën, shtoi ai, zgjedhjet në Kosovë do ta humbin kuptimin, ngase fituesi asnjëherë nuk do ta ketë të sigurt se do të udhëheqë me shtetin.

Bahtiri ka potencuar se Lëvizja Vetëvendosje është rritur dukshëm dhe në rast të mbajtjes së zgjedhjeve, kjo parti do të fitojë bindshëm, por nuk dëshiron të prognozojë me përqindje, duke thënë se një gjë të tillë do ta bëjë pas tre tubimeve të para elektorale.

Bahtiri: I vetmi opsion është të shkohet në zgjedhje të reja

“Ne si subjekt politik do t’i përmbahemi vetëm Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ndërsa ai le të fillojë me proces. Por duhet ta dini secili prej jush, si dhe qytetarët, në qoftë se ndodhë një gjë e tillë, atëherë mendoj se nuk ka nevojë më askush të shkojë në zgjedhje, për arsye se më nuk e ka të garantuar se do të udhëheqë fituesi Qeverinë e Republikës së Kosovës….Kjo është e padrejtë, është e papranueshme për qytetarët…Unë mendoj se i vetmi opsion paqësor dhe njerëzor është që të shkohet në zgjedhje dhe zgjedhjet t’i fitojë ai që sovrani ia beson votën…Unë mendoj se qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar drejt për çka bëhet fjalë dhe pse kërkohet ky lëshim. Kjo nuk është asgjë tjetër, përveç se kapje e shtetit, apo vjedhje e mandatit… Sa për qind do t ë shkojmë, unë nuk jap prognozë derisa të bëhen tre tubimet e para, dhe atëherë do të jap përqindjen e saktë, njëjtë sikurse e kam dhënë edhe atëherë”, theksoi Bahtiri.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet lokale, për të cilat tha se pavarësisht kundër kandidatëve të mundshëm, qoftë Vjosa Osmanit, Bedri Hamzës dhe të tjerëve, do të jetë fitues dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim.

Bahtiri: Do të jem bindshëm para çdo kandidati të mundshëm

“Nëse kandidoj për kryetar të komunës, do të jem bindshëm para çdo kandidati të mundshëm për kryetar të Mitrovicës…S’ka kandidat, ju them me bindje të plotë, sepse unë jam çdoherë me popullin, dhe e shoh vullnetin e popullit. Unë nuk rri në shtëpi, jam në çdo lagje dhe shtëpi të qytetarëve, e ndjej vullnetin e tyre, dhe vullneti i qytetarëve është bindshëm për kryetarin e tashëm”, tha Bahtiri. /Tv Malisheva

Share.