Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Arbërie Nagavci ka akuzuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa se me qëndrimet e tij pro heqjes së taksës dhe reciprocitetit ndaj Serbisë, po e dëshmon veten se është vënë në shërbim presidentit të vendit Hashim Thaçi.
Në një status në Facebook, ajo ka shkruar se presidenti Thaçi përmes paralajmërimeve për formimin e qeverisë së re vetëm sa e dëshmon të vërtetën për rrëzimin e Qeverisë Kurti me mocionin e mosbesimit të iniciuar pikërisht nga ish-partneri qeverisë, Lidhja Demokratike e Kosovës.
Sipas saj, formimi i një qeverie pa Lëvizjen Vetëvendosje ka për qëllim heqjen e reciprocitetit dhe nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë.
Postimi i plotë:
Pas cicërimës së mbrëmshme të Presidentit Thaçi, sot menjëherë u lajmërua Kryetari i LDK-së duke dëshmuar se edhe një herë do të jenë në shërbim të Thaçit.
Presidenti Thaçi në mbrëmjen e dt.19 prill: “Tarifat dhe reciprociteti duhet të bien” ( të hiqen).
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa me dt.20 prill: ” Nëse LDK-ja do ta drejtonte një Qeveri, hapi i parë do të ishte heqja e reciprocitetit”.
Mozaiku po plotësohet, Thaçi vetëm se e rikonfirmoi të vërtetën e rrëzimit të Qeverisë Kurti nëpërmjet të shumicës së deputetëve të LDK-së. Qëllimi ishte dhe mbetet formimi i një qeverie antikushtetuese, për ta larguar vendin nga parimi i reciprocitetit me Serbinë,e për t’i hapur rrugë pastaj dhe nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë.
Ky është një skenar që e kemi parë tashmë.
Pikërisht 7 vite më parë, me 19 prill 2013, Hashim Thaçi nënshkroi një marrëveshje shumë të dëmshme për vendin. Me Marrëveshjen e parë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Thaçi e Daçiq vendosën parimet dhe bazën e asaj që me vonë do të quhej “Zajednica” (marrëveshja Mustafa me Vuçiqin në vitin 2015)./ Tv Malisheva