Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka bërë sot kërkesë publike që Gjykata Speciale të nisë hetimin ndaj masakrës së Dubravës.
“Para një jave, iu drejtova ushtruesit të detyrës së prokurorit të specializuar, z. Aleks Wajting, me një kërkesë të detajuar për nisjen e hetimeve kundër planifikuesve dhe kryesve të masakrës së burgut të Dubravës të vitit 1999. Këtë e kam bërë në cilësinë jo vetëm të dëshmitarit, por edhe të mbijetuarit të kësaj masakre, të cilën organizata “Human Rights Watch” e ka quajtur “një ndër ngjarjet më të shëmtuara, më të këqija të luftës në Kosovë”. Nëse Gjykata Speciale vërtet nuk është një-etnike, atëherë nuk ka asnjë arsye pse të mos hetohen krimet lidhur me planifikimin dhe kryerjen e kësaj masakre.”, ka thënë ai.
Dugolli është shprehur se kërkesa e tij përbën fakte të mjaftueshme për hapjen e hetimeve dhe për ngritjen e akuzave.
“Nga viti 1999, deri më sot, asnjë zyrtar i Serbisë nuk është akuzuar nga asnjë gjykatë, për këtë krim monstruoz. Ka ardhur koha për t’i dhënë fund kësaj mosndëshkueshmërie. Kërkesa ime drejtuar prokurorit të specializuar, përbën dëshmi të mjaftueshme për të hapur hetime, dhe eventualisht për të ngritur akuza që janë të bazuara me fakte, argumente kundër zyrtarëve të lartë të Serbisë të asaj kohe, të cilët planifikuan dhe kryen masakrën e Dubravës.”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se krimet e forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës janë përmendur më shumë se një herë në raportin e Dick Martyt.
“Në mënyrë që Gjykata Speciale të ketë jurisdiksion për të trajtuar një krim të caktuar, nuk ka nevojë që ai krim të ishte temë kryesore e Raportit të z. Marty. Në fakt, titulli i Raportit sygjeron se tema kryesore e tij ka qenë trafikimi i organeve, mirëpo, asnjë aktakuzë nuk është ngritur deri më sot lidhur me atë krim të hamendësuar, por vetëm me krime të tjera të përshkruara në atë Raport. Sipas Ligjit, pra, mjafton që një krim të ketë ndonjë “lidhje” me Raportin, sado të vogël dhe prokurori ka kompetencë për ta hetuar. Krimet e forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës janë përmendur shprehimisht, madje edhe më shumë se një herë, në raportin e Dick Martyt.”, është shprehur ai.
Dugolli ka shtuar se shumë nga kryesit e krimeve, si në rastin e Dubravësjanë ende të pandëshkuar.
Masakra në Burgune Dubravës është kryer nga 19 deri më 24 maj të vitit 1999. Brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë, ndërsa janë plagosur 300 të tjerë. Masakra e Burgut të Dubravë është njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
/TV Malisheva