Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se Ekipi Menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe e ka përfunduar misionin dhe funksionin e tij. Ai tha se aty bëhej fjalë për një Republikën Serbe në Kosovë,dhe se nuk ka edhe arsye që të dëgjohet ky ekip, i cili ka dhënë propozimin e tij lidhur me draft-statutin e Asociacionit, më 2 maj në Bruksel.
“Ekipi menaxhues e ka përfunduar edhe misionin edhe funksionin e vet, andaj ne nuk kemi më arsyeje që ta dëgjojmë ekipin menaxhues, i cili gjithë çfarë kishte të thoshte këtë na bëri në Bruksel me datën 2 maj. Andaj, besoj se gjithë e kanë të qartë se ekipit menaxhues i ka përfunduar puna, andaj, edhe lirimi nga detyra është gjëja më e natyrshme dhe e logjikshme”, tha Kurti.
Kurti para mediave bëri të ditur se gjatë këtij muaji pritet të zhvillohet një takim me ndërmjetësit e dialogut, me ç’rast do të shihet se çka do të ndodhë tutje me këtë pikë.
” Pas këtij takimi do të mund të shohim cilat do të jenë hapat e tjerë përpara, e këta hapa duhet të jenë vetëm për zbatimin dhe sekuencimin e zbatimit. Nuk mund të diskutojmë më për dokumentet e Brukselit të 27 shkurtit dhe të Ohrit të 18 marsit, që paraqet veçse aneks impelementues pjesë integrale e marrëveshjes”, tha Kurti.
“Ndërmjetësit nuk dhanë vlerësim për atë, mirëpo pala serbe nuk pranoi ta marrë as për lexim. Pra, ne e kemi dëgjuar ekipin menaxhues, e kemi lexuar propozimin e tyre, kemi dhënë vlerësimin tonë mospajtues, ndërkaq për propozimin tonë nuk kemi përgjigje nga ndërmjetësit, ndërkaq nga pala serbe nuk mund të kemi përgjigje, sepse ata as nuk dëshironin as ta lexonin atë. Ky draft vizion që kam prezantuar unë aty është i inspiruar nga modeli i Kroacisë për pakicat kombëtare, përkatësisht për pakicën serbe. Marrëveshjen për modelin për mbrojtjen e pakicës serbe në Kroaci e ka pranuar edhe Serbia. Kemi konsideruar që ky është vendi ku ne do të mund të marrim frymëzimin tonë, sepse është një model që e ka pranuar vetë Serbia dhe nëse Serbia e ka pranuar këtë gjë me Kroacinë, ne konsiderojmë se do duhet ta pranojë edhe me neve. Nuk jam i interesuar as t’i kontrolloj serbët, e as t’ua shkel të drejtat as atyre, asnjë minoriteti e qytetari të Republikës, dua t’u shërbej të gjithëve dhe në veçanti për Nenin 7 të marrëveshjes bazë un kam ofruar një draft vizion, për të cilën shpresoj që do të mund të marrë një vlerësim nga ndërmjetësit evropian”, tha mes tjerash Kurti.
“Për vetëm dy muaj kemi një mori të shkeljeve dhe natyrisht se kjo është për të ardhur keq, mirëpo në takim u konfirmua se marrëveshja është valide, se 27 shkurti i Brukselit dhe 18 marsi i Ohrit kanë ndodhur, se teksti i marrëveshjes është aty i pandryshueshëm, i pa negocjueshëm dhe se duhet të zbatohet pa vonesa e në përpikëri”, tha Kurti pas pjesëmarrjes në konferencën për Fondin Sovran të Kosovës.
Krasniqi kishte theksuar se pas prezantimit në Bruksel të draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të viteve 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vetë është pa status.
Më 3 maj Ekipi Menaxhues, në përbërje të Danijela Vujiçiq, Jelena Boloviq, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq është liruar nga detyra.
/TV Malisheva