Me homazhe dhe nderime te përmendorja e tij në qendër të Pejës është shënuar 24 vjetori i vdekjes së dëshmorit Ahmet Gjikolli, i rënë në betejën e Çabratit.
Familjarë, shokë e bashkëluftëtarë të Ahmetit kanë kujtuar dhe nderuar veprën heroike nëpër të gjitha betejat e Rrafshit të Dukagjinit e deri në betejën e tij të fundit në Çabrat ku edhe ra dëshmor.
Një delegacion i degës së AAK-së, i prirë nga kryetari Ali Berisha bashkë me familjen Gjikolli kanë bërë homazhe para bustit të tij.
Me homazhe dhe nderime përfaqësuan edhe një delegacion i lartë nga Lëvizja Vetëvendosje e Pejës, të prirë nga kryetari i saj Taulant Kelmendi si dhe deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
Nuk munguan as bashkëluftëtarë e bashkëluftëtare të Ahmetit, që nga Gjakova erdhën për të nderuar sakrificën e tij.
Gjikolli ka qenë ushtar i Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që nga ditët e para të luftës, duke u rreshtuar dhe shërbyer në Zonën e III-të Operative të Dukagjinit, nën komandën e Ramush Haradinajt.
Ai fillimisht ishte varrosur në Çabrat, ndërsa më 3 Korrik të vitit 1999 ishte rri-varrosur me nderime të larta ushtarake në kompleksin e varrezave të Dëshmorëve në Pejë.
Në vitin 2022, ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka ndarë dekoratë për tre familje pejane, bijtë e të cilave kanë rënë dëshmorë në luftën e vitit 1998/1999 në Kosovë.
Medaljet presidenciale u ndanë për familjen e Ahmet Gjikollit, Shpetim Bojkut e Jusuf Kelmendit.
/TV Malisheva