Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) konstaton se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka blerë energji elektrike nga kompania sllovene “Holding Slovenske Elektrarne” e cila nuk ka licencë të lëshuar nga autoritetet e Kosovës.

ZRrE-ja bën të ditur se në përputhje me të gjeturat në raportet e Monitorimit, ka shqiptuar gjoba për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) me 3.2 milionë euro dhe Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) me 439 mijë euro.

Përveç tregtimit të energjisë me kompani të palicencuara, KEK ka kërkuar energji elektrike nga Shqipëria edhe kur nuk ka pasur nevojë, si dhe ka bërë shitje të energjisë elektrike në kundërshtim me ligjin te KOSTT pёr mbulimin e humbjeve nё katër komunat veriore.

Megjithatë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë të thënë të hënën se ende nuk kanë informata zyrtare për ndëshkimin e dy kompanive publike, të cilat monitorohen nga dikasteri që e udhëheq ajo.

Ky tregtim konsiderohet se është njëra ndër arsyet pse ZRRE-ja ka gjobitur KEK-un me 3.2 milionë euro.

“Në përputhje me të gjeturat në raportet e Monitorimit, Bordi i ZRrE-së ka shqiptuar gjoba për ndërmarrjet”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga ZRrE, duke shtuar se në bazë të Raporteve të Monitorimit kanë gjobitur edhe ndërmjarrje tjera publike për KOSTT-in dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS); dhe Furnizuesin me Shërbim Universal (KESCO) dhe Hidrocentralin e Ujmanit.

KEK-u me tetë kompanitë që kishte nënshkruar kontrata, njëra prej tyre nuk kishte licencë, kompania “Holding Slovenske Elektrarne” nga Sllovenia.

“Pёr mё tepёr, ZRRE më datё 19.08.2022, ka monitoruar procesin e tregtimit tё energjisё elektrike nё kohё reale, dhe ka vërejtur se pavarësisht vërejtjeve dhe kërkesave tё ZRRE pёr ndalimin e tregtimit tё energjisё elektrike me ndёrrmarje tё palicencuara, KEK ende kryen aktivitetin e tregtimit tё energjisё elektrike nё mos pajtueshmёri me obligimet ligjore”, thuhet në Rarportin e Monitorimit.

ZRRE-ja ka konstatuar se tregtimi i energjisë elektrike me kompani të palicencuara bie në kundërshtim me Ligjin për Energji elektrike, si dhe Ligjin për Rregullatorin e Energjisë.

KEK-u ka kërkuar energji nga Shqipëria edhe kur nuk ka pasur nevojë

“KEK ka kёrkuar energji nga KESH edhe atёherё kur nuk ka pasur nevojё pёr FSHU dhe energjinё e pranuar nga KESH e ka ofruar nё treg tё lirё. Njё veprim i tillё bie nё kundёrshtim me Nenin 1 tё Marrёveshjes pёr shkёmbim/depozitim tё energjisё elektrike nё mes Korporatёs Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe Korporatёs Energjetike tё Kosovёs (KEK)”, thuhet në Raport.

Shitja e energjisë elektrike pёr mbulimin e humbjeve tё veriut

“KEK i shet energji elektrike KOSTT për mbulimin e humbjeve në Veri të vendit, nёn kushtet e marrёveshjes pёr mbulimin e humbjeve tё sistemit. Shitja e energjisё elektrike tek KOSTT për mbulimin e humbjeve nё Veri bie nё kundërshtim me procedurën e tregtimit të energjisё elektrike, pasi që nё procedurё pёrcaktohet që tregtimi i energjisё elektrike duhet tё i nënshtrohet tregut të lire dhe konkurrues”, thuhet në Raportin e Monitorimit.

Ndërkohë, Bordi i ZRrE-së në seancën e së premtes pas shqyrtimit përfundimtar të raporteve të monitorimit, ka vendosur gjobë ne vlerën prej 3.2 milionë euro për Korporatën Energjetike të Kosovës dhe 439 mijë euro për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).

/TV Malisheva

Share.