Eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se prapa veprimeve të fundit të strukturave paralele ilegale në veri të vendit për të penguar qasjen në objektet e komunave në Zubin Potok dhe në Zveçan qëndron sërish presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe Këshilli serb i Sigurisë. 

Të ndodhura përballë një situate të tillë, ku ekstremistët serbë po tentojnë të vendosin hekura në hyrjet e këtyre komunave, Ibishi thotë se institucionet e Kosovës duhet të kryejnë punën e vet. Nuk përjashtohet tensionimi i mëtejmë i situatës.

“Kjo (bllokimi i hyrjeve në komunat në veri nga strukturat paralele serbe), do të sjellë tensionime në veri të Kosovës dhe Policia do të kryejë punën e vet, mirëpo mendoj që kjo do të shkojë përtej asaj dhe do të kërkohet një zgjidhje politike… Këto zgjedhje kanë qenë plotësisht legale, të bëra me një shtyrje, të cilat i kanë pranuar edhe partnerët tanë strategjikë, vendet e QUINT-it, BE-ja… Edhe Qeveria e Kosovës duhet të jetë në një formë konsekuente në vendimet e veta, gjithherë duke u konsultuar me partnerët tanë strategjikë, deri tek një zgjidhje politike”, thotë ai.

“Prapa kësaj çdo herë synimi është krijimi i një Asociacioni me kompetenca të plota çka mundëson krijimin e një entiteti të ri, që mund të jetë i ngjashëm me ‘Republika Srbska’ dhe kjo tejkalon dhe shkon përtej asaj që bashkësia ndërkombëtare i jep komunitetit serb… Kjo ka të bëjë me një mundësi që ata të krijojnë një autonomi politike me të drejta ekzekutive… Kjo është strikt me urdhër të Vuçiqit, të Këshillit të sigurisë së tyre, me eksponentë e vet çfarë edhe i ka në veri të Kosovës”, thotë ai.

“Tensionime do të ketë të vazhdueshme nga pala serbe me urdhrat e Vuçiqit. Ata do të bëjnë çmos që të pengojnë punën, inaugurimin, gjegjësisht atëherë kur të krijohet asambleja, kur të japin betimin kryetarët, me qëllim që të marrin favore në rast të trysnisë së ndërkombëtarëve ndaj Qeverisë së Kosovës”, thekson Ibishi.

“Ne duhet të mendojmë në planin afatgjatë sesi ta bëjmë integrimin e komunitetit serb në veri pa ndikimin e Beogradit dhe pa ndikimin e ekstremistëve serbë që janë në vazhdimësi për ndarje, një lloj zëri që adresojnë një bashkësi të komunave që çon kah autonomia e cila çdo herë e predikon një shkëputje”, thotë ai.

Ishte presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ai që paralajmëroi siç e quajti, “krizë të madhe”, pas takimit të 2 majit në Bruksel, ku Kosova nuk e pranoi draft-statutin e hartuar nga ish-ekipi menaxhues i cili përbëhej nga katër serbë.

/TV Malisheva

Share.