Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, avokat Gregory Kehoe ka kërkuar sot kohë që të diskutojë me klientin në lidhje me kundërpyetjet për dëshmitarin. Ai ka thënë se janë akuza të rënda dhe për këtë duhet kohë për të bërë hetime të tjera para se të fillojnë pyetjet e ekipit mbrojtës.
Pas mocionit të avokatit Kehoe për kohën që i nevojitet me klientin, kryegjykatësi, Charles L. Smith ka thënë se do të kenë kohë sot të gjithë nga një orë me klientët e tyre.
“Ne bëmë një verifikim tani, do ju japim një orë sot, të gjithë ju do të keni nga një orë me klientët pasdite. Pra, gjysmë ore do të hamë edhe pastaj gjysmë ore, dhe një orë mund të kaloni kohë me ata dhe përmes Zyrës Administrative, në çdo moment mund të kërkoni kohën që nevojitet dhe kjo do të ju plotësohet. Mund të diskutoni edhe përmes aplikacionit ‘Zoom’ me klientin në burg, nëse nuk dëshironi të diskutoni me ta fizikisht atje. Pra, ka mundësi të ndryshme që mund t’i shfrytëzoni nga sot deri të premten. Me sa e kuptojë kjo vlen vetëm për kundërpyetjet tuaja në këtë moment”,ka thënë Smith.
Por, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, avokati Gregory Kehoe është shprehur se Thaçi ka kërkuar që gjatë së premtës të diskutojnë lidhur me këtë çështje.
“Klienti më kërkoi, nëse mund të flasim të premten për këtë, ka shumë gjëra që duam të diskutojmë lidhur me këto. E kuptoj edhe shqetësimin për kohën, por sikurse ju e dini, këto janë çështje shumë të rënda dhe akuza të rënda. Dhe për këtë na nevojitet më shumë se një orë kohë që të diskutojmë me klientin”,ka thënë avokati mbrojtës.
Tutje, Kehoe ka thënë para trupit gjykues që i duhet të bëjë hetime të tjera dhe se i duhet koha e nevojshme, para fillimit të kundërpyetjeve.
Kehoe: “Unë po ju kërkoj se unë kam informacion dhe më duhet të bëjë hetime të tjera dhe për këtë më duhet koha e nevojshme që ta bëjë, përpara se të fillojë më kundërpyetjet.”
Smith: “Mirë pra, do ta shohim. Sidoqoftë ju mund të shfrytëzoni çdo alternativë tjetër që ekziston dhe zyra administrative do të përpiqet të plotësojë çdo kërkesë që keni ju lidhur me këtë, sepse mund të merrni kohë shtesë”, ka thënë Smith.
Dëgjimi i dëshmitarit të katërt po vazhdon në sesion privat.
Përveç një pjesë të shkurtër të dëshmitarit të dytë, seancat e tjera në këtë proces gjyqësor janë zhvilluar tërësisht në seancë private.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.
/TV Malisheva