Kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka deklaruar se edhe kryetarët e komunave që i takojnë partisë në pushtet kanë telashe komunikimi me ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Duke specifikuar edhe raste, kryetari Hyseni e konsideroi të tepërt pretendimet e disa kryetarëve të komunave se ministri duhet të jetë në dispozicion të tyre 24 orë.

Këto komente kreu i Gjilanit i bëri pas takimit me kryeministrin, Albin Kurti.

Sipas tij takimet mes nivelit qendror dhe lokal po i shërbejnë për trajtimin e problemeve komunale.

“Sa i përket komunikimit duhet me kuptua se një ministër ka agjendë të gjerë dhe sigurisht që mund të ketë edhe vonesa në përgjigje, por në fund të fundit secili ministër është i obliguar që edhe ligjërisht t’u përgjigjet kërkesave që merr. Për dallim nga e kaluara kur haptazi dhe në mënyrë të pa fshehur janë përkrahur politikisht tash nuk ndodh një gjë e tillë… Ndodh që edhe nuk na e hap telefonin edhe neve, nuk është komunikimi i atillë çfarë mund të pretendohet, pra nuk jemi një linjë të komunikimit 24 orësh ta themi kështu kemi shumë probleme e telashe. Mua në Gjilan më ka ndodhur një herë ose dy që mu kanë mbyllur llogaritë bankare të komunës për shkak të borxheve nuk ka mund të më bëjë zgjidhje as ministri, askush…Nëse kryetarët e komunave pretendojnë ose supozojnë që ministri duhet me qenë 24 orë në shërbim të komunës kjo mendoj është pak e tepërt, por sigurisht problemet e komunikimit ekzistojnë edhe mes kryetarit e qytetarëve, por edhe mes kryetarit dhe ministrit”, tha Hyseni.

Teksa ka deklaruar se komuna e Gjilanit nuk ka telashe me çështjen e të hyrave vetanake, Hyseni u shpreh se ka një betejë politike, duke iu referuar deklarimit të Kurtit i cili në mbledhjen e fundit të ekzekutivit u shpreh se në disa raste komunat po i bëjnë opozitë qeverisë.

Sa i përket tatimit në pronë, edhe kryetari Hseni thotë se duhet të zgjidhet kjo problematikë.

“Sigurisht që ka një betejë politike, sigurisht që kjo nuk është që duhet të diskutohet. Kjo shihet që ka një betejë politike në shumë raste, ka një tendencë të organizimit të Asociacionit kundrejt politikave të qeverisë që deri në një masë ndoshta një garë politike mund të jetë e kuptueshme por shumë-herë mund t’kalojë kufijtë e normale. Sa i përket të hyrave vetanake komuna e Gjilanit nuk e ka këtë problematik, sepse shumicën e mjeteve që i kemi pas nga viti 2021 e më larg kemi shpenzuar…Sa i përket tatimit në pronë sigurisht që duhet të trajtohet dhe të zgjidhet kjo problematikë”, u shpreh ai.

Kryetari i Gjilanit, Hyseni, ka folur pas takimit të thirrur nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, me kryetarët e komunave.

/TV Malisheva

Share.