Nga sot, liberalizimi i vizave për Kosovën është ligj i aplikueshëm në të gjithë zonën Schengen.
Autoritetet kufitare të Bashkimit Evropian nga sot fillojnë përgatitjet e nevojshme për të siguruar se nga 1 janari i vitit të ardhshëm, legjislacioni do të zbatohet në të gjitha pikë-kalimet kufitare.
Këtë e ka bërë të ditur, drejtori i Institutit Epik, Demush Shasha.
“Nga sot liberalizimi i vizave për Kosovën është ligj i aplikueshëm në të gjithë zonën Shengen. Ndonëse praktikisht qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm drejt zonës Shengen nga 1 janari, nga sot autoritetet kufitare të BE-së fillojnë përgatitjet e nevojshme për të siguruar se nga 1 janari legjislacioni respektiv do të zbatohet në të gjitha pikë kalimet kufitare të zonës Shengen”, ka shkruar ai në Facebook.
Shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen nga 1 janari i vitit 2024.
Vendimi për liberalizimin e vizave është miratuar javë më parë nga Parlamenti Evropian.
Një ditë më vonë ai është nënshkruar, duke shënuar kështu fundin e procesit të gjatë të regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
/TV Malisheva