Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka përfunduar marrjen në pyetje të dëshmitarit të katërt të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).
Intervistimi i tij është bërë në seancë të mbyllur për publikun, ndërsa pasdite dëshmitari i mbrojtur pritet të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së Rexhep Selimit.
Dëshmitari me kodin 4748 pritet të përfundojë dëshminë e tij të mërkurën, për të vazhduar pastaj intervistimi i dëshmitarit të pestë të prokurorisë.
Gjatë seancës së paradites, trupi gjykues ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit, për të shtuar një dokument në listën e provave.
Një kërkesë e tillë ishte kundërshtuar nga ana e ZPS-së, megjithatë kryegjykatësi Charles Smith ka thënë se do të lejojnë shtesën e provës materiale.
Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani kanë përfunduar dëshmitë e tre dëshmitarëve të prokurorisë.
Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.
Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.
Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.
/TV Malisheva