Drita e Gjilanit është njëra prej skuadrave pretendente për titullin kampion në Superligën e Kosovës këtë edicion.

Së bashku me Gjilanin, Ballkanin e FC Prishtinën, Drita e Ardian Nuhiut e do titullin e kampionit.

Megjithatë, garën e ‘nxehtë’ të këtyre katër skuadrave e ka lënë pezull pandemia COVID-19 e njohur ndryshe si koronavirus.

Qeveria e Kosovës në mesin e masave të marra për parandalimin e përhapjes së këtij virusi, ka vendosur ta pezullojë edhe edicionin aktual të futbollit kosovar.

Ende nuk ka ndonjë datë të sigurtë se kur do të rinisë edicioni, teksa është përfolur edhe për mundësinë e anulimit të kampionatit, ashtu siç ka bërë Belgjika.

Vendimin eventual të anulimit të kampionatit elitar kosovar e ka komentuar edhe drejtori i Dritës, Valon Zymberi.

Në një intervistë për “Zërin”, Zymberi ka thënë se ndërprerja e kampionatit nuk do të ishte vendim i mirë për asnjë klub, por që do ta respektonin çdo vendim nga UEFA.

“Ndërprerja e kampionatit nuk do të ishte e mirë për asnjë klub, por çdo vendim që vjen nga UEFA ne do ta respektojmë, edhe nëse do të vendoset që Ballkanit t’i jepet titulli i kampionit”, ka thënë Zymberi.

Tutje, ai ka shtuar se nëse edicioni vazhdon më tej, duhet të bëhet me sistemin e njejtë të garave.

“Duhet të respektohet edhe rënia e skuadra nga Superliga në rast të ndonjë vendimi të tillë. Por, në rast se vazhdon kampionati, duhet të bëhet me sistemin e njejtë të garave”, u shpreh Zymberi.

Pas 22 javësh në elitën e futbollit kosovar, Drita e Gjilanit ndodhet në vendin e dytë me 43 pikë, një më pak se lideri, Ballkani.

Share.