Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet lidhur me disa lokale afariste në kryeqytet për të cilat ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka deklaruar se janë pronë e kësaj ministire.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka konfirmuar se tashmë kanë autorizuar Policinë për grumbullimin e informatave lidhur me këto prona.
“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë për grumbullimin e informatave dhe provave lidhur me këtë çështje, andaj në bazë të të gjeturave do të veprojë tutje”, ka theksuar ajo.
Ndryshe, ministri i Bujqësisë, Faton Peci para disa ditësh ka pohuar se janë bërë 7 muaj që kur ka denoncuar rastet dhe ka paraqitur provat mbi këto lokale.
“Janë bërë më shumë se 7 muaj prej që kemi denoncuar dhe ofruar të gjitha faktet e poseduara se lokale afariste në zemër të Prishtinës, janë pronë e Ministrisë së Bujqësisë. Veprimtari që ushtrohet kundërligjshëm sepse s’ka se si të jetë ndryshe kur edhe kundërligjshëm janë ndërtuar e po në atë mënyrë vazhdojnë të funksionojnë”, kishte deklaruar ministri ditë më parë.
Gjithashtu, ministri ka theksuar se dhe disa vila në Stankaj të Rugovës janë ndërtuar në tokë të shtetit, lidhur me këtë çështje, Prokuria Themelore në Pejë ka njoftuar se ka nisur hetimet.
/TV Malisheva