Japonia do të vendosë sanksione shtesë ndaj Rusisë pasi samiti i Grupit të Shtatë (G7) që vendi priti javën e kaluar ra dakord për të rritur masat për të ndëshkuar pushtimin e Ukrainës nga Moska, tha të premten kryesekretari i kabinetit të kryeministrit japonez Hirokazu Matsuno.

Të enjten, Matsuno, zëdhënësi kryesor i qeverisë së Tokios, kritikoi veprimin e fundit të Rusisë për vendosjen e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi, duke deklaruar se do të përshkallëzonte edhe më tej situatën rreth pushtimit të Ukrainës, shkruan REL.

“Si i vetmi vend që ka pësuar bombardime bërthamore gjatë kohës së luftës, Japonia nuk e pranon kurrë kërcënimin bërthamor të Rusisë, e lëre më përdorimin e tij”, tha Matsuno në një konferencë të rregullt për shtyp.

Udhëheqësit e G7, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Gjermaninë dhe Francën, javën e kaluar treguan vendosmërinë e tyre për të mbështetur Ukrainën me ndihma ushtarake shtesë dhe sanksione ndaj Rusisë, në samitin vjetor të mbajtur në Hiroshimë.

/TV Malisheva

Share.