Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka takuar sot tre kryetarët e rinj, kryetarin e Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi dhe kryetarin e Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.
Ministri Krasniqi ka shkruar në Facebook se tre kryetarët do të jenë në shërbim të qytetarëve për t’i përmbushur detyrat e tyre kushtetuese dhe ligjore.
“Qytetarët kanë nevojë për ofrimin e shërbimeve dhe Kryetarë të cilët përkujdeset për mirëqenien e tyre socio-ekonomike. Stabiliteti dhe siguria janë bazë për zhvillim dhe progres, përmes bashkëpunimit pa dallime etnike dhe gjuhësore këto Komuna do t’i kthehen normalitetit të munguar”, ka shkruar Krasniqi.
Në mes tensionesh, kryetarët e rinj të tri komunave në veri të Kosovës – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok – kanë hyrë në objektet komunale të premten, një ditë pas betimit. Atyre u është dashur ndërhyrja e Policisë për t’i larguar protestuesit dhe barrikadat para objekteve komunale. Policia është përballur me shok-bomba e të shtëna armësh nga protestuesit.
/TV Malisheva