Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi sot raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, me ç’rast u bisedua për zhvillimet e fundit në vend.
Kurti dhe Von Cramon, siç u bë e ditur në komunikatë, me theks të veçantë biseduan për procesin e dialogut në Bruksel dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për procesin pas-zgjedhor në katër komunat në veri të vendit.
“Kryeministri rikujtoi se zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit ishin shtyrë një herë në dhjetor, dhe se tani pas mbajtjes së tyre me 23 prill, është e rëndësishme që të fillojmë sa më parë me ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, të cilat kanë munguar që nga fillimi i muajit nëntor të vitit të kaluar pas dorëheqjes së kryetarëve pararendës.”, u bë e ditur nga zyra e kryeministrit.
Ndërsa, për sa i përket dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit të saj, ai përsëriti që duhet zbatim i shpejtë, i plotë dhe i pakushtëzuar.
Kryeministri shtoi që është kënaqësi të priste Von Cramon-in në takim në këto kohë të rëndësishme dhe e falënderoi atë për përkrahjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.
/TV Malisheva