Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka kujtuar sot sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA ku u shuan mijëra jetë të pafajshme.
Nëpërmjet një statusi në faqen e tij në Facebook, Veseli ka shkruar se Kosova është e rreshtuar bashkë me popujt e lirë, me SHBA-në në krye, në koalicionin global për ta luftuar terrorizmin.
“Para 18 vjetësh, më 11 shtator 2001, shtetet paqedashëse me demokraci të lira përjetuan një tragjedi botërore. Mijëra jetë të pafajshme të njerëzve me kombësi të ndryshme u shuan prej sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat ishin më të rëndat në historinë e njerëzimit”, ka shkruar Veseli.
Shkrimi i plotë i Kadri Veselit:
Para 18 vjetësh, më 11 shtator 2001, shtetet paqedashëse me demokraci të lira përjetuan një tragjedi botërore. Mijëra jetë të pafajshme të njerëzve me kombësi të ndryshme u shuan prej sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat ishin më të rëndat në historinë e njerëzimit.
Së bashku me rreth 3000 viktimat e pafajshme të mbi 70 kombësive të ndryshme, sot i kujtojmë edhe tre bashkëkombësit tanë që humbën jetën atë ditë: Mon Gjonbalajn, Simon Dedvukajn e Rrok Camajn.
Vdekja e tyre tregon se ai sulm na ka prekur të gjithëve dhe se terrorizmi është një e keqe për gjithë njerëzimin, pa dallim kombi, feje e race.
Kosova është rreshtuar bashkë me popujt e lirë, me SHBA-në në krye, në koalicionin global për ta luftuar terrorizmin. Kurse, brenda e jashtë vendit, promovon me shumë përkushtim liritë universale që parandalojnë ekstremizmin e dhunshëm.