Rreth 30 turistë nga Polonia kanë zgjedhur të eksplorojnë Parkun Kombëtar “Mali i Tomorit” në Shqipëri.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në Shqipëri ka publikuar në Facebook momente nga vizita e turistëve polakë në monumentin e natyrës, Kanioni i Gradecit.
“Një veçanti në këtë monument është se pranë tij mund të vizitoni edhe Shpellën e Shahinovës, monument natyre. Ju mund ta vizitoni Kanionin e Gradecit duke ndjekur rrugën automobilistike rurale Çorovodë-Gradec”, thekson AKZM e cila fton të pasionuarit pas natyrës ta vizitojnë këtë park.
Kanionet e Gradecit ndodhen në verilindje të qytetit të Çorovodës, 250 m mbi nivelin e detit. Ky kanion ka qenë një kalim nëntokësor karstik i lumit të Çorovodës, që me kohë, si pasojë e shembjes së tavanit doli në sipërfaqe. Vlerat e këtij monumenti janë shkencore, kulturore, ekologjike dhe turistike të rëndësisë vendore. Në disa sektorë, më pak të thellë të kanionit, mund të ushtrohen veprime praktike për të rinjtë që duan të mësojnë ngjitjet alpinistike, shkruan ATSh.
Për ata që dëshirojnë sportin e aventurës skajore, do të ishte ideale zbritja apo ngjitja me litarë në muret vertikale të këtij kanioni.
/TV Malisheva